Të martën u mbajt “Dita e Medias” dhe gati të gjithë lojtarët e Real Madridit dhanë intervista. Në këtë rast, në fokus të gazetarëve ishin pyetjet për lojtarët e Realit për ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve kundër Juventusit. Por, jo të gjithë folën për mediat. Pikërisht tre emrat që ka më shumë mundësi të largohen nga “Santiago Bernabeu” këtë verë ishin ata që nuk folën para gazetarëve, pra Pepe, James dhe Coentrao, shkruan “AS”.
Fabio Coentrao ka kohë që kërkon largimin, pas sezonit të fundit me gati zero paraqitje për skuadrën e Zinedine Zidane. Sa i përket Pepes, duket se ai do t’i thotë përfundimisht lamtumirë Real Madridit, pasi Ramos, Varane dhe Nacho janë të pëlqyerit e Zidane para tij.
Dhe në fund James Rodriguez. Shumë media nga Amerika Jugore tentuan të bënin intervistë me të, por numri 10 nuk pranoi. Çdo gjë tregon se e ardhmja e tij është Italia ose Anglia. Mediat angleze kanë shkruar se James ka arritur parakontratë me Manchester United, por duket sikur ai është shumë më afër Interit, i cili vitin e kaluar bëri ofertë zyrtare për të në vlerë 85 milionë euro.
Kampiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, e ka lartësuar portierin italian, Gianluigi Buffon, duke e quajtur atë legjendë. Buffon, 39-vjeçar, është duke synuar që ta fitojë garën kryesore evropiane për klube për herë të parë kur Juventus përballet me Real Madridin në finalen e Cardiffit këtë të shtunë. “Buffon është legjendë dhe do të mbahet mend si njëri nga portierët më të mirë në histori të futbollit”, ka thënë Ramos. Ramos ka thënë se Buffon është shembull për secilin që dëshiron ta jetojë dhe përjetojë këtë sport dhe se ai ka treguar se mosha nuk është pengesë.
Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo edhe një herë tjetër ka folur për fishkëllimat në “Santiago Bernabeu”, ku insiston se kjo nuk është normale. Ai tha se nuk i pëlqejnë gjëra të tilla, pasi nuk është normale për një lojtar që gjithmonë jep 100 për qind nga vetja.
Ronaldo insiston se kur nuk luan mirë, ai ka nevojë për përkrahje dhe jo fishkëllima. “Kam shumë durim. Nuk më pëlqen kur më fishkëllejnë, sepse nuk është normale që diçka e tillë të ndodhë në stadiumin tënd. Një person që jep 100 për qind, kur nuk shkojnë gjërat mirë duhet të duartrokitet dhe të motivohet nga tifozët”, tha Ronaldo për faqen e Realit. “Në Manchester kurrë nuk më ka ndodhur. Mentaliteti është ndryshe, por unë jam i lumtur në Spanjë edhe pse më mungon Unitedi”.