11 gra dhe vajza, punëtore në një fabrikë këpucësh në fshatin Bubq të Fushë-Krujës u dërguan me urgjencë në Qendrën Shëndetësore, pasi shfaqën gjendje të fikëti dhe mpirje të trupit. Ato i thanë policisë se pas hyrjes në fabrikë dhe fillimit të punës nuk ishin ndjerë mirë, kishin vështirësi në frymëmarrje, marrje mendsh dhe të vjella.
“Njëra pas tjetrës u rrëzuan në tokë nga marramendja dhe më pas shfaqën shenjat të tjera të ngjashme me ato të një toksimi akut. Ato ishin duke punuar, kur iu ndodhi kjo gjë. Dhjetëra gra, punonjësve të fabrikës së këpucëve në Bubq të Fushë Krujës përfunduan në Urgjencën Shëndetësore”, bëri të ditur një punonjëse e fabrikës.
Fluksi dhe mungesa e hapësirave në ambulancë, bëri që disa nga gratë të vendoseshin në një shtrat. Nuk dihen ende shkaqet e intoksikimit, por paraprakisht policia dyshon se shkak ka qenë aspirimi jo i mirë dhe efektet negative të çliruara nga lëndët që përdoren në industrinë fasone.
Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik do të mbajnë nën vëzhgim ambientet e fabrikës ku punojnë më shumë se 200 gra e vajza.
Rama, së bashku me ish-ministren Nikolla zhvilluan një takim në një fabrikë këpucësh në Lezhë. Rama nuk tha asnjë fjalë për 11 gratë dhe vajzat që u helmuan në fabrikën e këpucëve.
Ai vazhdon me fushatën e tij duke reklamuar arritjet e tij, shpeshherë edhe duke shkuar në vende ku sapo ka ndodhur një ngjarje e rëndë, por pa i interesuar kjo e fundit. Një gjë e ngjashme ndodhi edhe me një vizitë të tijën në një spital publik, pak orë pas vdekjes së një 16-vjeçareje në një spital privat. Rama nuk tha as fjalën më të vogël apo ndërmori ndonjë hap konkret për shkaqet dhe precedentët e ngjashëm që kanë ndodhur.
Siç duket kjo gjë nuk ka rëndësi, sepse sapo shfaqet Rama njerëzit janë të buzëqeshur dhe çdo gjë shkon më së miri për të treguar një Shqipëri që gjoja po rilind, por sapo largohet ai, punonjëset i kthehen gjysëm-skllavërisë së tyre.