Me mendjen te ndeshja kundër Izraelit, por edhe te e ardhmja e De Biasit, e madje te një e ardhme jo dhe aq e largët. Në ditën e nisjes së grumbullimit të kombëtares për takimet e radhës, në Itali gazetari Alfredo Pedulla ka njoftuar në faqen e tij zyrtare se trajneri i kuqezinjve do të lirohet nga impenjimi me Shqipërinë në ditët e ardhshme. Gjithmonë duke iu referuar asaj që raporton Pedulla pas një eksperience të pasur e plot gëzime që i ka shërbyer jo pak trajnerit në planin profesional e personal, tani De Biasi ka mundësi të vërteta për të ardhmen në Europë, ndërkohë që ka në dorë edhe disa oferta nga Kina, që po investon shuma marramendëse në futboll.
Sipas tij, për këtë arsye trajneri pritet të largohet nga Shqipëria, ndërkohë që më tepër për këtë çështje do të mund të mësohet në mes të qershorit, pra pas ndeshjes me Izraelin. Në këtë mënyrë nëse më parë nuk kanë munguar sinjalet për një përfundim të marrëdhënies së De Biasit me Shqipërinë pas përfundimit të kontratës aktuale, e cila mbyllet me impenjimin në eliminatoret e Botërorit, tani raportimet përtej Adriatikut flasin për një ndërprerje në mes të këtij bashkëpunimi.
De Biasi në shfaqjet e tij të fundit publike para shtypit sportiv në vend është shfaqur i irrituar me raportimet për të ardhmen në mediat italiane, edhe pse shpeshherë kanë qenë pikërisht intervistat e tij për mediat italiane ato që kanë nxitur zërat për një largim nga stoli i Shqipërisë. Ndoshta këtë herë trajneri i kombëtares do të japë vetë një shpjegim në lidhje edhe me këtë temë, në konferencën e shtypit që do të mbajë në Luksemburg ku edhe do të shpjegojë zgjedhjet për listën e të grumbulluarve për takimet e radhës.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i shoqëruar me një tjetër futbollist nga Lugina e Preshevës, Arbnor Fejzullahun e Partizanit, kanë ndjekur derbin shqiptar në Tetovë mes Renovës dhe Shkëndijës (2-2). Mbrojtësi kuqezi do të rikthehet në kombëtare për dy ndeshjet e ardhshme, pas kartonit të kuq të marrë ndaj Izraelit.
Pikërisht për këtë kundërshtar qendërmbrojtësi ka besim se nuk është më i fortë sesa skuadra jonë përfaqësuese. “Për mua personalisht do të jetë një ndeshje në të cilën kemi mundësi që t’i kthehemi rrugës së sukseseve, pasi në ndeshjet e fundit nuk kemi pasur rezultate të mira. Me Izraelin humbëm në Shqipëri dhe aty unë mora karton të kuq. Tashmë do të shkojmë atje dhe duam të kthehemi me fitore, pasi mendoj se Izraeli nuk është më i fortë se ne”, shprehet me optimizëm mbrojtësi kuqezi për “Gazeta Lajm” në Maqedoni.
Gjimshiti, i cili gjatë këtij sezoni luajti për Avelinon në Serinë B, është shprehur i kënaqur që me këtë skuadër siguroi mbijetesën, ndërkohë që nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse do të rikthehet te Atalanta, e cila zotëron kartonin e tij.
“Jemi shumë të kënaqur, sepse në fund ia kemi arritur qëllimit të mos biem nga liga, edhe pse kemi pasur disa probleme, ku na i kanë hequr tri pikë për një problem që ka pasur skuadra para tre vitesh. Mendoj se në fund gjithçka doli mirë. E ardhmja? Nuk dihet ende. Kam kontratë me Atalantën, por nuk e di se çfarë do të ndodhë. Të shohim se si do të rrjedhin bisedimet me drejtuesit e saj për rikthimin tim atje”, ka deklaruar Gjimshiti.