Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, priti në takim ambasadorin e Republikës së Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo, me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit të frytshëm dypalësh.
Ambasadori italian Cutillo i shprehu ministrit Demiraj përgëzimet për postin e ministrit të Punëve të Brendshme, në këtë moment delikat dhe të rëndësishëm për vendin. Ai i parashtroi ministrit Demiraj, bashkëpunimet e rëndësishme ndërmjet dy palëve dhe shprehu dëshirën për t’i vijuar dhe zgjeruar ato.
Ministri i Brendshëm, Demiraj u përqendrua tek prioriteti i mandatit të tij, duke iu referuar luftës me zero tolerancë kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, garantimin e një procesi zgjedhor të qetë dhe mos përfshirjes së Policisë në proces, si dhe garantimin e një sezoni turistik të sigurt.
Pak ditë më parë, ministri Demiraj zhvilloi një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman. Ministri Demiraj i shprehu ambasadorit ngushëllimet më të sinqerta për aktin e rëndë terrorist që ndodhi në Manchester dhe mori jetën e 22 personave të pafajshëm. Ministri i Punëve të Brendshme, Demiraj diskutoi me ambasadorin edhe për prioritetet e tij në krye të Ministrisë, duke u përqendruar tek garantimi i një procesi të qetë dhe të sigurt zgjedhor, luftën pa kompromis kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kundër përdorimit të parave të trafikimit të drogës dhe blerjes së votës.