Hakmarrje ndaj Realit

Kush mendonte se Sami Khedira ka projekte të tjera që nuk lidhen me Juventusin, atëherë duhet të përgënjeshtrohet, sepse ai konfirmon të qëndrojë dhe do hakmarrje ndaj Realit. “Nuk kam asnjë projekt tjetër në kokën time, nuk ka arsye pse të mendoj për diçka tjetër përveç Juventusit. Këtu jam shumë i lumtur dhe mund t’u garantoj se do të respektoj kontratën time deri në vitin 2019. Për më shumë, ka pak klube në Europë që mund të rivalizojnë me Juventusin. Finalja e Champions-it kundër Realit? Është një ndeshje, ku gjithçka mund të ndodhë dhe natyrisht që detajet do të bëjnë diferencën. Për të fituar fillimisht duhet të mbrohemi aq mirë saç bëmë me Barcelonën, por nuk do të përqendrohemi vetëm në mbrojtje. Reali ka një sulm shumë të fortë, por edhe ne kemi fenomene në repartin ofensiv. E kaluara ime te Reali? Edhe sikur të bëja 10 ndeshje të mira radhazi, në të 11-ën që nuk shkëlqeja menjëherë më kritikonin dhe vinin në dyshim nëse isha një lojtar i denjë për atë klub. Kjo nuk ishte një ndjesi e bukur, madje shpeshherë më kanë keqtrajtuar, prandaj tani ka ardhur ora që të hakmerrem në Cardiffit”, u shpreh Khedira.
Pas Real Madridit, edhe skuadra e Juventusit është nisur drejt Cardiffit, ku do të luhet finalja e Ligës së Kampionëve. Massimiliano Allegri dhe Dani Alves u shfaqën para gazetarëve në orën 17.15, derisa stërvitjen e mbajtën në ora 18:30. Finalja e Ligës së Kampionëve ndërmjet Juventusit dhe Real Madridit do të zhvillohet më 3 qershor në Cardiff të Uellsit.
Fiton apo jo Champions League, Juventusi sërish mbush xhepat. Për bardhezinjtë po afron momenti i shumëpritur, finalja e madhe kundër Realit të Madridit. Shpërblimi që do të përfitojë “Zonja e Vjetër” nëse do të arrijë të ngrejë trofeun e Champions, në arkat e Juventusit do të shkojnë plot 133.2 milionë euro, por edhe nëse nuk arrin dot ta përbushë misionin sërish bardhezinjtë nuk do të dalin duar bosh, pasi shpërblimi për ta do të jetë 128.7 milionë euro. Gjithsesi Uefa momentalisht për këtë kompeticion shpërndan rreth 1.3 miliardë euro, por sezoni i 2018-2019 do të ketë një rritje stratosferike të të ardhurave që do t’i shpërndahen klubeve, 3 miliardë euro, nga ku 2.4 janë të destinuara të shkojnë për skuadrat.
E përkthyer ndryshe, nëse për këtë vit Juventusi ka përfituar 130 milionë euro dhe për sezonin e ardhshëm arrin sërish në finale atëherë shuma që do të përfitojnë kampionët e Italisë do të ishte 230 milionë euro. Të ardhurat që kanë përfunduar në arkat e Zonjës së Vjetër kanë ardhur nga sektorë të ndryshëm, siç janë kualifikimi për në raundet pasardhëse, fitoret e arritura, pjesa e marketingut, të drejtat televizive dhe shitja e biletave. Në tre vitet e fundit bardhezinjtë kanë arritur të përfitojnë nga Champions League plot 280 milionë euro.

Artikulli paraprakFutbollisti i ardhshëm i Realit refuzoi të luajë ndaj Shqipërisë
Artikulli tjetër185 milionë për Zinedin Zidanin