Kandidati republikan për president, Donald Trump tha gjatë një takimi elektoral se Shtetet e Bashkuara nuk mund “të vazhdojnë të lejojnë Kinën të përdhunojë vendin tonë” dhe u angazhua se do ta ripërtërijë marrëdhënien e Amerikës me botën.
Zoti Trump e ka paraqitur vazhdimisht defiçitin tregtar mes dy vendeve si një dinamikë ku Kina përfiton nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se aftësitë e tij si negociator do ta eliminojnë mungesën e balancës.
“Do ta përmbysim situatën”, tha zoti Trump të dielën në një tubim në shtetin e Indianës. “Ne kemi mjaft pushtet ndaj Kinës”.
Votimet e nesërme në Indiana shihen si kyçe në garën për t’u bërë kandidati republikan për zgjedhjet e nëntorit. Sipas shumë anketave, zoti Trump ka epërsi ndaj senatorit nga Teksasi, Ted Cruz. Sipas një prej sondazheve që doli dje, zoti Trump kryesonte me një avantazh prej 15 pikësh.
Një fitore e zotit Trump në Indiana do ta afronte atë edhe më shumë drejt numrit prej 1,237 delegatësh të nevojshëm për kandidaturën, ndërsa zoti Cruz dhe guvernatori i Ohajos, John Kasich shpresojnë që të mos ta lejojnë të arrijë atë shifër, gjë që do të sillte si rezultat një garë të hapur në kuvendin e partisë në korrik.
Nga pala demokratike, anketat e fundit tregojnë se ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ka një epërsi të lehtë ndaj senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders. Në përgjithësi, ajo ka një epërsi të konsiderueshme përsa i takon numrit të delegatëve, përfshirë 500 super delegatët që kanë premtuar ta mbështesin atë. Zoti Sanders e pranoi dje se rruga e tij drejt kandidaturës është e vështirë, por tha se do të punojë për t’ua ndryshuar mendimin super-delegatëve në favor të tij.