Mbappe, 100 milionë!

Rinovimi me trajnerin Arsene Wenger ishte vetëm hapi i parë i drejtuesve të Arsenalit për fillimin e një projekti fitues. “Topçinjtë” e Londrës kanë vendosur që këtë verë të mos kursehen në merkato, pasi dëshirojnë të rikthehen menjëherë në Champions League aty ku do të mungojnë pas plot 20 vitesh, por pse jo të rivalizojnë edhe për titullin në Premier League. Sipas “L’Equipe”, Arsenali me kërkesë të trajnerit Wenger po përgatit goditjen e madhe në merkaton e verës. Sipas të përditshmes franceze, klubi nga Emirates i ka ofruar Monakos plot 100 milionë euro për të marrë shërbimet e talentit Kylian Mbappe. Për 18-vjeçarin interesohet fuqishëm edhe Reali i Madridit me Los Blancos që janë dëshira e parë e lojtarit për të vazhduar karrierën, ndërsa mbetet disi më pas Manchester City.
Por me klubin merengues që po qëndron në vendnumëro, mes Mbappe dhe Realit është futur Arsenali që kërkon të bindë francezin të transferohet në ishull. Wenger sheh te 18-vjeçari një miks të Ronaldo fenomenit dhe Thierry Henry-së dhe mendon se me afrimin në Londër të Mbappe do të blindonte sulmin e Arsenalit për vitet në vazhdim. Wenger në këto vite ka treguar se është një trajner që beson shumë te talentet e reja dhe me kalimin në Emirates, Mbappe nga një i ri me shumë klas mund të shndërrohej në sulmuesin më të mirë në botë. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e lojtarit, por nuk do të ishte aspak çudi që Kylian Mbappen sezonin e ardhshëm ta shihnim duke mbajtur veshur fanellën e Arsenalit.
Në garë për blerjen e talentit Mbappe është edhe Reali i Madridit. Aventura e James Rodriguezit në Real Madrid do të përfundojë pas finales së Ligës së Kampionëve ndaj Juventusit, shkruan “AS”. Rodriguez do ta mbyllë aventurën te Los Balncos në Cardiff. Pikërisht në këtë vend kolumbiani e kishte nisur aventurën te Real Madridi. Ai më 12 gusht të vitit 2014 luajti në Cardiff ndeshjen e parë me Real Madridin ndaj Sevillas në kuadër të Superkupës së Evropës.
James Rodriguez, i cili ka luajtur vetëm 13 ndeshje si titullar këtë sezon, është mes Manchester Unitedit dhe Interit. Ai ka kontratë me Realin deri në vitin 2020 dhe nga “Santiago Bernabeu” do të largohet për një shifër mes 60-80 milionë eurove.

Artikulli paraprakGriezmann qëndron tek Atletico Madrid
Artikulli tjetërÇekiçi: Fitojmë me Francën