Oferta e re e Milanit për Donarumën

Do të rinovojë Xhixhio Donaruma me Milanin apo jo? Kjo është për momentin telenovela e merkatos të Serisë A, pasi portieri dhe kuqezinjtë duken shpesh afër dhe shpesh larg njëri-tjetrit. Portieri dëshiron të qëndrojë, por kërkon kushtet e duhura, sidomos në aspektin ekonomik, edhe pse është vetëm 18 vjeç.
Dje në Montekarlo është zhvilluar një takim mes tij, menaxherit Raiola dhe dy zyrtarëve të Milanit, Mirabeli e Fasone. Këta të fundit, pasi kanë diskutuar gjatë me pronarët kinezë, kanë bërë propozimin më të fundit ekonomik.
Sipas mediave italiane, Donarumës i është ofruar një kontratë prej rreth 4,5 milionë eurosh në sezon, pa llogaritur këtu edhe bonuse të tjera që e çojnë këtë shifër deri në 5 milionë euro. Bëhet fjalë për një rrogë shumë të lartë për një adoleshent, e paparë ndonjëherë në Serinë A.
Nga ana tjetër, Milani i ofron edhe mundësinë futbollistit që të ndërpresë në mes marrëveshjen e re, duke i vendosur një klauzolë largimi, por sigurisht ajo nuk do të jetë e ulët. Nuk bëhet e ditur se sa do të jetë kjo klauzolë, por mediat italiane spekulojnë për një shifër që i afrohet 100 milionë eurove.
Donaruma dhe menaxheri i tij kanë kërkuar kohë të mendohen, para se të kthejnë një përgjigje përfundimtare. Gjatë ditës së shkuara, menaxheri i portierit, Raiola, kishte deklaruar se futbollistin e kërkonin 11 klube të ndryshme në Europë.

Artikulli paraprakFranck Kessie, zyrtarisht i Milanit
Artikulli tjetërMurillo: Kam 3 vite kontratë me Interin