Banorët e Zharrëzës në Fier nuk kanë lejuar Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, të zhvillojë fushatë. Banorët i kanë bllokuar rrugën Ruçit, duke i kërkuar që qeveria t’i dëmshpërblejë për dëmet e shkaktuara nga nxjerrja e naftës. Ruçi ka shkuar atje në vijim të turit elektoral, por një grup të rinjsh të fshatit Zharrëz i dolën para me parulla në duar ku shkruhej: “Pa dëmshpërblime s’ka votime”; “Duam shtëpitë tona”; “Zbatoni VKM”; “Stop Ndotjes”, etj.
Ruçi foli për disa minuta me banorët, duke u përpjekur t’i qetësojë dhe t’i japë shpjegime, por ata e kanë paralajmëruar se pa marrë dëmshpërblimet e premtuara nga qeveria nuk do të ketë votime. Ai iu premtoi se dëmshpërblimet do kalojnë brenda muajit, por banorët i kanë thënë se, nuk i besojnë më qeverisë. Më pas, Ruçi është larguar pa arritur të bëjë fushatë në Zharrëz.
Banorët e fshatit të Zharrëzës ngritën për muaj me radhë shqetësimin se një kompani e huaj nafte që zhvillon veprimtarinë e saj në Fier, i ka shkatërruar shtëpitë. Pas një proteste të gjatë në Fier, banorët grevistë bënë një marshim të gjatë drejt Tiranës dhe fjetën disa ditë para Ministrisë së Energjetikës. Grevistët kanë ecur në këmbë 120 kilometër nga Zharrëza për të protestuar para Ministrisë së Energjetikës në Tiranë, por janë përballur me terrorin policor. Grevistët janë përplasur me policinë në momentin që tentuan të ngrenë çadrën para Ministrisë së Energjetikës. Punonjësit e policisë nuk lejuan ngritjen e çadrës me arsyetimin se nuk kanë marrë leje për protestë. Gjatë përplasjes me policinë, një punonjës i rendit ka qëlluar një nga grevistët, i cili ka rënë pa ndjenja në trotuar. Pas kësaj ngjarje të rëndë, situata është tensionuar edhe më tepër dhe banorët kanë shtyrë forcat e policisë, duke hedhur parulla kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Pas pritjes së gjatë në derën e Ministrisë së Energjetikës, banorët e Zharrëzës tentuan ta hapin vetë atë. Duke marrë nëpër duar megafonin, ata u shprehën të vendosur se nuk do të lëvizin nga dera pa marrë një zgjidhje përfundimtare për dëmtimet e banesave nga shpërthimet e kompanisë Bankers. Pas një javë proteste para derës së Ministrisë së Energjetikës, banorët e Zharrëzës morën premtimin e ish-zv/Kryeministrit, Niko Peleshi për t’u dëmshpërblyer për dëmet që pretendohet t’i ketë shkatërruar kompania.
“Banorët e dëmtuar të Zharrëzës do të dëmshpërblehen 100%. Në këtë mënyrë, adresohet problematika në Zharrëz. Afati është 30-ditor dhe kërkojmë bashkëpunimin e banorëve”, deklaroi Niko Peleshi. Por banorët deklaruan dje se qeveria i kishte mashtruar ndaj ata do të bojkotojnë zgjedhjet. Banorët i bllokuan rrugën Gramoz Ruçit dje në Fier për shkak të mungesës së mbajtjes së këtij premtimi nga qeveria.
Kështu, Niko Peleshi deklaroi vendimin e marrë pak muaj më parë në mbledhjen e kabinetit qeveritar, duke drejtuar një apel ndaj banorëve të Zharrëzës, lidhur me protestën disa ditore që ata po bënin para Ministrisë së Industrisë e Energjetikës.
Banorët e Zharrëzës akuzuan qeverinë se, po i detyron shqiptarët të largohen jashtë vendit për shkak të korrupsionit, papunësisë dhe varfërisë të tejskajshme. “E kanë zaptuar Shqipërinë hajdutët dhe kriminelët ndaj po largohen njerëzit nga vendi. Bashkohuni këtu me ne. E shikoni ç’bën Sigurimi. Po na varrosin në shtëpitë tona. Këta janë turpi i këtij vendi. O zot, në duar të kujt jemi!”, u shprehën protestuesit.
R.POLISI