Perez shpërblen lojtarët me miliona

Florentino Perez, presidenti i Real Madridit, i ka ndarë 40 milionë euro për lojtarët dhe stafin e skuadrës. Pas triumfit në Ligën e Kampionëve skuadra e Real Madridit ka arkëtuar 75 milionë euro. Por, numri një i Los Blancos, Florentino Perez ka vendosur që pjesën më të madhe të këtyre parave (40 milionë) t’ua ndajë lojtarëve dhe stafit. Sipas të përditshmes sportive madrilene, “AS”, Perez ka shpërblyer lojtarët me nga 1.5 milionë euro secilin, në total 36 milionë euro.
2 milionë euro i ka ndarë Zinedine Zidanit, derisa pjesa tjetër e stafit të Realit Madridit ka marrë 2 milionë të tjera. Los Blancos hyri në histori të kësaj gare duke u bërë skuadra e vetme që e fiton trofeun e Ligës së Kampionëve dy herë radhazi.
Ndërkohë, portieri i njohur spanjoll, Davide de Gea pritet t’i bashkohet skuadrës së Real Madridit gjatë kësaj vere. Kurse, menaxheri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho ende nuk e ka gjetur pasardhësin e De Geas. Sipas tabloidit britanik, “Daily Mail”, strategu portugez ka tri opsione për pasardhësin e portierit spanjoll.
Fjala është për tre portierë që aktivizohet në Serie A: Samir Handanoviç (Inter), Gianluigi Donnarumma (Milan) dhe Joe Hart (Torino). Donnarumma dhe Hart kanë gjasa të mëdha që gjatë verës të ndërrojnë ekipet, derisa largimi i Handanoviçit nga nerazzurët duket më pak i mundshëm. Megjithatë gjatë këtyre javëve pritet të shihet përfundimisht se kush do të jetë pasardhës i De Geas.
Qendërmbrojtësi portugez, Pepe e ka konfirmuar se gjatë kësaj vere do të largohet nga Real Madrid, nga skuadra e ëndrrave të tij. Ai dje me anë të një letre të publikuar në Facebook, ka treguar dashurinë e tij për Realin dhe ka falënderuar të gjithë për mbështetjen. Pepe, po ashtu ka treguar edhe momentet më të mira të tij në Real, e që kanë qenë stërvitja, çdo ndeshje në “Bernabeu” dhe dashuria e tifozëve.

Artikulli paraprakKosovë, partitë shpenzojnë qindra mijëra euro për katër ditë fushatë
Artikulli tjetër“Çmendet” Zidane