Kur vjen puna tek interesat dhe pazaret mafioze, PS dhe LSI bashkojnë gjithnjë votat, ashtu siç dje Rama dhe Meta kanë gjetur gjuhën për të kaluar një projekt mafioz që ka të bëjë me mbetjet urbane në Tiranë. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar dje vendimin për zgjerimin e kompetencave të operimit të saj, duke monopolizuar këtë shërbim në Tiranë dhe rrethinat e saj. Pra, kompania ku është ortak Erion Veliaj, që është e njëjta kompani që ka privatizuar dhe parkingjet në Tiranë dhe që deri më sot operonte në zonën urbane të Tiranës, që nga 1 qershori do të operojë dhe në zonat periferike të saj, çka do të thotë se i gjithë fondi dhe taksat që paguajnë qytetarët e Tiranës për këtë shërbim do të merret nga një dorë e vetme. Është e njëjta kompani, e cila ka marrë në pronësi dhe ish-Parkun e Autobusëve në Tiranë, por dhe asete të tjera të kryeqyetit. Është pikërisht kjo kompani, e cila dështoi të bënte diferencimin e mbetjeve, por që ishte dhe furnizuesja kryesore e landfillit të Sharrës, ku u vra 17-vjeçari Ardit Gjoklaj. Një histori e pastër korrupsioni dhe mafioze plehrash që dje bashkoi votat e dy aleatëve që në këtë prag fushate duket sikur kanë nisur një konflikt me njëri-tjetrin, por nuk është e njëjta gjë kur bie fjala për mafien e plehrave dhe paratë që gjeneron ajo. Projektvendimi mori 31 votat e PS-LSI, duke i dhënë jetë një ideje të planifikuar nga Veliaj që përpara se të merrte Bashkinë e Tiranës, atë të monopolizimit të pastrimit të qytetit. Vlera e kontratës për pastrimin e mbetjeve në zonën e qendrës ose e ashtuquajtura zona e kuqe, është 2.5 milionë euro, e cila shtohet me një vlerë 10% në momentin që fillon mbledhja e diferencuar e mbetjeve nga kompania. Nga 1 qershori 2017, zona zgjerohet me 50% dhe nga 1 qershori 2018, do të mbulojë të gjithë territorin e bashkisë. Sipas kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, me futjen e kompanisë së re të pastrimit të qytetit në shtator, riciklimi nga kazanët e mbetjeve do të ndalohet. “Në Tiranë do të jetë e ndaluar hyrja në çdo kosh mbeturinash dhe nxjerrja e të gjitha mbetjeve jashtë tij për të kapur një kanoçe ose një shishe plastike”, tha Veliaj gjatë një takimi me drejtuesit e ndërmarrjeve të pastrimit në qershor. “Çdo nxjerrje nga koshi, nxjerr qindra, mijëra, miliona mikrobe. Kjo i ka të gjitha premisat ta kthejë qytetin e Tiranës në një zonë epidemike nëse vijon kështu”, shtoi ai. Veliaj u ofroi atyre që do të humbisnin të ardhurat nga grumbullimi i plehrave në kazanë të punësoheshin në impiantin e riciklimit në Sharrë. “Ata që punojnë sot duke zbrazur koshat, Bashkia e Tiranës është gati që sot t’u ofrojë një vend pune me pagesë, me sigurime shoqërore, jo në të zezë në impiantin e riciklimit në Sharrë”, shtoi ai. Trumpetimi me të madhe i Veliajt mbi këtë projekt dukshëm ka pasur si qëllim bërjen e kësaj afere fakt të kryer, pasi kompania ka zgjeruar kompetencat e saj gati javë para se vednimi të mriatohej në Këshillin Bashkiak.
Lidhjet me mafian italiane
Eco Tirana, një kompani me kapital italian dhe të Bashkisë së Tiranës, duket se nuk është vetëm kaq. Gazeta më e vjetër në Itali, “Roma” ka zbardhur detaje të frikshme në lidhje me njerëzit e vërtetë që kanë marrë në dorë fushën e plehrave në Sharrë. “Çështja e 1300 kontenierëve me lëndë kimike nuk është e vetmja në Shqipëri”, shkruan ajo në një artikull ku është në qendër vendi ynë dhe ekomafia. “Burimet tona thonë se oreksi i mafias së plehrave ka bërë që të gllabërohet edhe fusha e shkatërrimit të plehrave në periferi të Tiranës, ajo në Sharrë, që nuk ndodhet shumë larg nga qendrat e banuara. Aty ende digjen plehra dhe Bashkia e Tiranës ka vendosur që t’ja besojë një kompanie italiane. Disa sipërmarrës nga Italia e Veriut kanë dalë si persona që do ta marrin. Njerëz të pastër, besojmë. Por ndërhyrjet, bonifikimi dhe sistemimi i kësaj fushe kushton miliona euro. Pas kësaj marrëveshjeje duket se qëndrojnë disa emra të njohur të ekomafias, të cilët arrijnë të futen gjithmonë dhe kudo. Një përgjim i bërë nga Antimafia citon dy personazhe të mafias së Ndraghetës, të cilët flasin pikërisht për fushën e plehrave në Tiranë, atë të Sharrës. “Kjo është një punë fiks për ne. Një operacion që nuk duhet humbur”, thuhet në përgjimet e zbardhura nga gazeta italiane “Roma”.
Shkrimet e mediave italiane, lidhjet e Gaçit të Ramës dhe Veliajt me mafien e plehrave
Më 22 Qershor 2016 u themelua në Tiranë kompania “Eco Albania”. Kjo kompani është bashkëpronësi e Bashkisë së Tiranës (51%) dhe kompanisë ‘ASGM Holding Albania’ (49%). Aktualisht kjo kompani ka një kontratë ekskluzive me Bashkinë e Tiranës që synon ingranimin e saj në formë monopoli në trajtimin e mbetjeve të qytetit. Aksionari AGSM-Holding-Albania në dukje është një kompani e Bashkisë së Veronës, por zbardhja e interesave përbërës të kësaj kompanie zbulon se ajo është e ndarë në: AGSM Verona – 75% dhe AMIA – Verona 25% Kompania AMIA-Verona përfaqësohet nga shtetasi Andrea Miglioranzi dhe është kompani private, e cila ka një akses të veçantë në Bashkinë e Veronës. Zoti Miglioranzi më herët ka qenë i përfshirë si përfaqësues i disa kompanive të tjera italiane, të cilat janë hetuar nga Prokuroria italiane si kompani nën kontrollin e organizatës kriminale Ndragheta. Biznesmeni Miglioranzi është njeri tepër i afërt i kryebashkiakut të Veronës, Flavio Tosi. Kryebashkiaku Tosi nga ana tjetër ka qenë subjekt i një skandali mediatik, sepse pak kohë pasi ai kishte mohuar çdo lidhje me organizatën Ndragheta, në media u publikua një foto e tij, ku pozonte në një përqafim vëllazëror me shtetasin Antonio Giardini, i cili konsiderohet si lojëtar i rëndësishëm i organizatës mafioze. Aktualisht Bashkia e Veronës dhe kompanittë AGSM-Verona dhe AMIA-Verona dyshohen si kompani nën tutelën e organizatës ‘Ndrangheta’. Ka patur disa sinjale në media dhe në dosje hetimore që lidhin personazhet, ndonëse një hetim më i thelluar do të nevojitej për të verifikuar dhe dokumentuar më qartë përfshirjen e interesave të organizatës mafioze në këtë histori. Nga ana tjetër, nëpërmjet pamjeve filmike dhe dokumenteve zyrtare, rezulton se ingranimi i ‘klanit Veronez’ në projektin e riciklimit ka nisur në vitin 2014, kur deputeti rilindës Artan Gaçi shkoi në Verona dhe kërkoi zyrtarisht mbështetjen në kompaninë AMIA-Verona, për të hyrë në Shqipëri. Vizita e Gaçit u pasua nga dy vizita të Edi Ramës, i cili u takua në Itali me kryebashkiakun e Veronës, Tosi. Ky i fundit erdhi më pas në Durrës ku u fol për një projekt kulturor, por interesat e vërteta të takimeve lidheshin me biznesin e riciklimit. Pas takimeve me Ramën, kryebashkiaku i Veronës, Flavio Tosi, nisi kontaktet me Erion Veliajn dhe dy bashkitë nënshkruan dhe marrëveshjen mes tyre dhe krijuan kompaninë e përbashkët ‘Eco Tirana’. Indiciet, dokumentet publike, fotot e publikuara, hetimet e disa personazheve të lidhur nga Prokuroria italiane, çojnë në gjurmët e implikimeve të organizatës Ndragheta, duke ngritur dyshime të arsyeshme se Edi Rama ka vendosur të bëjë biznes me këtë organizatë dhe t’ua japë atyre monopolin e riciklimit. Të njëjtat kompani italiane kanë dështuar që të aplikojnë të njëjtën skemë në Rumani, Bosnje apo Kroaci. Këto ishin disa nga denoncimet e bëra sot nga ish- Kryeministri Berisha në Parlament. Ky i fundit disa prej tyre i lexoi në gjuhën italiane, duke shkaktuar të qeshura mes deputetëve socialistë.