Allegri rinovon deri më 2020

Masimiliano Allegri rinovon kontratën me Juventusin. Tashmë është zyrtare do të jetë sërish tekniku toskan ai që do të drejtojë stolin e bardhezinjve deri në qershor të 2020. Allegri do të udhëheqë Juventusin edhe për tri sezone të tjera, ku objektivi është i qartë, të arrihet sërish finalja e Champions League dhe të fitohet, por jo vetëm, triumf në të gjitha kompeticionet ku “Zonja e Vjetër” merr pjesë. Marrëveshja parashikon dhe dyfishim të pagës për trajnerin.
Mësohet se Allegri do të përfitojë një rrogë prej 8 milionë eurosh neto në sezon, që e bën atë trajnerin më të paguar në Itali dhe ndër më të paguarit në Europë. Por gjithsesi, duket se Allegri ka humbur mundësinë për të fituar 2 milionë euro më shumë në vit.
Pas tre orësh bisedime me Presidentin Andrea Agnelli dhe drejtorin sportiv Beppe Marotta, ata kanë shkuar në një restorant për të drekuar me njëri-tjetrin. Mediat italiane bëjnë me dije se Allegrit i është konfirmuar nga dyshja Agnelli-Marotta se do të ketë mbështetje absolute në merkato, për të përforcuar sa më mirë skuadrën në realizimin e objektivave sezonalë, ku vëmendja më e madhe do të jetë për repartin e mesfushës. Kupola e drejtuesve të Juventusit ia ka besuar sërish çelësat e ekipit, Max Allegrit, i cili në tri vite si trajneri i bardhezinjve ka arritur t’i sigurojë skuadrës 7 trofe.

Artikulli paraprakTrump shton me 40% fondet për praninë ushtarake në Europë
Artikulli tjetërPas Juves edhe Barcelona kërkon Costa-n