Kapet 1 ton drogë në Portin e Durrësit e fshehur në perime

Plot 1 ton drogë është kapur në Durrës në një kamion që transportonte fruta-perime. Policia bëri të ditur se, kamioni me drogë u ndalua në Durrës dhe kishte destinacion Italinë. Po ashtu është ndaluar drejtuesi i mjetit, i cili është shtetas maqedonas. Bëhet e ditur se, operacioni për bllokimin e maunes me drogë që po nisej drejt Italisë është zhvilluar pas sinjalizimeve të marra nga SHISH dhe Prokuroria
Në njoftimin e policisë thuhet se, Policia Kufitare në bashkëpunim me Seksionin Kundër Narkotikëve kanë parandaluar dhe goditur një tentativë për të trafikuar lëndë narkotike drejt Italisë. Ata kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme rreth 1 ton drogë e llojit Cannabis Sattiva.
Operacioni është zhvilluar natën e djeshme, ku pas informacioneve të marra në rrugë operative është bërë e mundur goditja e rastit të trafikut të drogës dhe sekuestrimi i lëndës narkotike. Droga ishte e fshehur në një kamion dhe gjatë kontrollit në skaner në pikën e kalimit kufitar Durrës, ajo është pikasur nga autoritetet.
Drejtues i kamionit tip “Daf” ishte një shtetas maqedonas, i cili është ndaluar nga policia pas kapjes së kanabisit. Mësohet se kamioni ishte i ngarkuar me kuti të mbushura me kastraveca dhe në mes të kastravecave kishte qese të mbushura me lëndë narkotike. Vijon puna për peshimin e lëndës dhe hetimet për zbulimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në muajin shkurt të këtij viti, policia italiane sekuestroi 8 ton kanabis sativa që kishte kaluar nga Shqipëria dhe do të përfundonte në Ankona. Kamioni i mbushur me kanabis ka qenë tranzit nga Maqedonia dhe ka kaluar doganën e Qafë-Thanës dhe më pas atë të Durrësit për të përfunduar në Itali. Kamionit i janë bërë procedurat e tranzitit në Qafë-Thanë.
Kamioni ka qenë i vulosur me vulën e Qafë-Thanës dhe për këtë arsye, nuk i bëhet më kontroll në dalje. Policia italiane ndaloi shoferin maqedonas të kamionit, i cili duket se ka zbuluar edhe skemën e trafikut.
Pas hetimeve të Prokurorisë rezultoi se, kamioni ishte futur bosh nga Maqedionia dhe ishte mbushur me drogë në Elbasan. Sipas Prokurorisë, në këtë trafik droge ishte e përfshirë edhe bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Nga të dhënat në QKR rezulton se, kompania “Ujori shpk” është pronë e Xhuljana Sejdinit. Burimet e Prokurorisë bënë të ditur se, se kompania “Ujori shpk” nëpërmjet të cilës u fut kamioni nga Maqedonia është pronë e Xhuljana Sejdinit agjencia doganore ka si administratore Rezarta Shehun, por sipas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ajo rezulton si pronë e bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Xhuljana Sejdini.
Ditën kur kaloi kamioni me drogë, kompania “Ujori Shpk”, kishte përfaqësues në pikën e kalimit kufitar të Qafë- Thanës, Maliq Kadillin, tashmë i arrestuar nga Prokuroria për Krime të Rënda. I dyshuari Kadilli në emër të agjensisë doganore “Ujori shpk”, ka përpiluar dokumentet për hyrjen dhe tranzitimin e kamionit që drejtohej nga i arrestuari në Itali, Zoran Stanojoski.
Aksioni për goditjen e trafikut të drogës dhe parandalimin e kultivimit të kanabisit është forcuar menjëherë pas emërimit të ministrit të ri të Brendshëm, Dritan Demiraj. Demiraj ka zhvilluar takime me të gjithë drejtuesit e policisë në qarqe, duke u kërkuar që të marrin masa të rrepta për parandalimin e trafikut të drogës dhe për zgjedhjet.

R.POLISI

Artikulli paraprakDoshi thirret në Prokurori për fshehjen e 23 milionë eurove
Artikulli tjetërPS nis blerjen e votave me ushqime në Tepelenë