105 mijë vota më shumë për PD-në me bashkimin e opozitës

Armand MAHO

Dalja e aleatëve nën një sigël me PD i siguron koalicionit opozitar 105 mijë vota, të cilat në bazë të sistemit të përllogaritjes përkthehen në mandate, duke bërë që asnjë votë e hedhur për siglën e PD-së mos të shkojë kot. Opozita, në krahasim me katër vite më parë, vetëm për shkak të strategjisë i shtohet numri i votave të sipërpërmendura, po kësaj shifre duhet t’i shtohen dhe rrethana të tjera, siç janë pakënaqësia apo lufta e egër që u ka hapur kampi i majtë ish-aleatëve të saj, duke bërë që PD dhe aleatët të dalin forcë e parë. Mos harrojmë se nëse s’do të ishin në koalicion, as PS dhe as LSI s’do të merrnin numrin e mandateve që morën duke qenë bashkë, pasi sistemi ndihmon partitë të përkthejnë në mandate sipas votave kandidatët e tyre. Për shembull, në një qark ku kandidati i PS nuk plotëson dot votat për të marrë mandatin nën siglën e partisë së tij, atëherë sistemi këto vota i merr nga partitë aleate. Por e njëjta gjë ndodh dhe me partitë aleate në rast se janë në kufirin e kërkuar të pragut elektoral, atëherë ato ndihmohen me numër votash nga partia më e madhe. Gjithsesi, nga përllogaritjet më e fituar nga kjo lojë ka dalë Partia Socialiste si partia më e madhe në koalicion, pasi ka pasur raste që partitë e tjera, përfshi LSI kanë marrë dhe 13 mijë vota në rang qarku që s’i kanë përkthyer në mandate dhe këto vota kanë ndihmuar PS-në, pasi pas numrit të votave duhet të arrihet dhe përqindja e caktuar në bazë qarku për të zënë vendin në Kuvend.

Kampi opozitar

Llogaria është bërë në bazë të votave që kanë marrë partitë në zgjedhjet e vitit 2013, pa llogaritur në to votat e PDIU, që në rast se do të ishin në koalicion do i faturoheshin Partisë Socialiste. Vetëm Partia Republikane ka marrë në vitin 2013 rreth 52 mijë vota, ndërsa Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila në zgjedhjet e atij viti garonte në koalicion me PS-në i ka sjellë kampit opozitar rreth 15 mijë vota ose një mandat më shumë. Më tej vjen Partia Demokristiane, Partia Agrare Ambientaliste, LZHK e kështu me radhë. Këtij rezultati nuk i kemi shtuar  pakënaqësitë e katër viteve qeverisje apo rikthimin e votave që i rodhën Partisë Demokratike në atë kohë për shkak të manovrave elektorale, blerjes së tyre apo mashtrimeve të asaj kohe të Edi Ramës për shëndetësi falas, ulje taksash, hapjen e 300 mijë vendeve të punës. Këtu po llogarisim, të njëjtën situatë duke mos i shtuar kësaj mosmbajtjen e premtimeve për hapje të vendeve të punës, gjendjen e rrënuar ekonomike, shtimin e varfërisë, rritjen e energjisë e të gjitha me radhë që kanë shkaktuar një pakënaqësi jo të vogël tek njerëzit.

Llogaritë e Ramës

Edi Rama me mendimin për të mbajtur i vetëm pushtetin rrezikon të marrë humbjen më të madhe të partisë së tij, për shkak të nxjerrjes së aleatëve jashtë sistemit dhe duke i lënë ata jashtë koalicionit. Jo vetëm kaq, por kohët e fundit ka ndërmarrë dhe një luftë të ashpër ndaj tyre, duke ndjerë rrezikun e rrjedhjes së votës. Duhet theksuar se vetëm LSI në vitin 2013 arriti t’i sigurojë 180 mijë vota. Duke ditur se si vepron kjo forcë politike, në atë kohë u aludua se një pjesë e mirë e këtyre votave ishin marrë nga kampi i djathtë për shkak dhe të qëndrimit katër vjet në qeveri. Në zgjedhjet e vitit 2009 kjo forcë politike e vetme arriti të sigurojë vetëm 76 mijë vota, pra diçka më shumë se 100 mijë vota më pak. Nuk duhet harruar se në këto zgjedhje, ekziston mundësia që ato vota që LSI mori në vitin 2013 në kurriz të bashkëqeverisjes të kthehen në origjinën e tyre, çka e përmirëson dukshëm rezultatin e kampit opozitar dhe shton panoramën gri tek kampi tjetër. Në kushtet e mbijetetës, LSI ka ndërmarrë një fushatë brejtjeje drejt votave të majtave dhe rezultati u vu re dhe në zgjedhjet lokale, ku socialistët u reduktuan ndjeshëm në rang këshilltarësh dhe LSI u rrit. Kjo ka bërë që nga ana e Ramës, por jo vetëm, të ndërmerret një fushatë e egër ndaj kësaj force politike, duke e etiketuar atë si shkaktaren e vetme të dështimit qeverisës. Kjo bëri që menjëherë pas marrëveshjes Rama të nxirrte në media aleatët e papërfillshëm që i kanë mbetur për të bërë thirrje për të mos votuar aleatët e saj. Kjo e fundit iu përgjigj flakë për flakë duke nxjerrë kandidatë më vete për Kavajën, gjë e cila sjell humbjen e sigurt për të majtën në këtë qytet.

Në zgjedhje pa opozitën, Rama mendoi ta zëvendësonte me Blushin e Bojaxhiun

Në fakt, Rama i kish bërë mirë llogaritë deri para 18 majit, kur kish parashikuar skenarin e zgjedhjeve pa opozitën. Në rast të një daljeje më vete për shkak dhe pjesëmarrjes së ulët të zgjedhjeve, ai kish llogaritur të merrte i vetëm më shumë se 85 mandate, ndërsa pjesa tjetër ndahej mes atyre që ishin aleatët e tij. Kjo skemë, pra dalja pa opozitën në zgjedhje i shkonte për shtat dhe dy partive të reja si Sfida e Bojaxhiut apo Libra e Blushit. Prandaj këto dy parti vrapuan të regjistrohen dhe dërgojnë listat e kandidatëve. Numri i ulët i votuesve i siguronte me patjetër mandate në Kuvend, gjë që në rrethanat e caktuara duket në kufijtë e të pamundurës. Gjithsesi dhe këto dy parti që i janë shtuar listës në zgjedhje sërish synojnë më shumë votat e të pakënaqurve të majtë dhe nuk rrezikojnë asessi të marrin nga votat e djathta. Këto parti në zgjedhjet e ardhshme kishin menduar të zëvendësonin opozitën, pavarësisht se sa jetëgjatësi do të kishte produkti i dalë nga këto zgjedhje ato faktorizonin veten e tyre në tregun politik shqiptar. Kjo i leverdiste si Ramës dhe atyre. Ramës sepse legjitimonte zgjedhjen pa opozitën, ndërsa Blushit dhe Bojaxhiut për të marrë flamurin e opozitarit.

LSI pa pushtet, rrudhja akoma më e madhe pas zgjedhjeve

Pas zgjedhjeve, kur LSI do të gjendet në opozitë do të fillojë rrudhja e madhe. Së pari, të gjithë të punësuarit për të ruajtur vendin e punës do të largohen nga LSI sepse nuk kanë asnjë arsye të sakrifikojnë vendin e tyre të punës për të bërë opozitë me LSI dhe për më tepër që nuk shikojnë asnjë shans se do të mund të rriten një ditë. Së dyti, të gjithë drejtorët po ashtu do të bëjnë “kontrata” të reja me qeveritarët e rinj, të PS ose PD, sepse të njëjtën gjë kanë bërë kur janë futur në punë me LSI dhe sepse realisht nuk i lidh asgjë tjetër me LSI përveç vendit të punës si drejtor dhe “zarfit” që duhet të paguanin çdo muaj. Edhe kjo ide e Ramës do të aplikohet me shumë agresivitet, përndryshe ndaj atyre që do të rezistonin do të vepronte drejtësia e reformuar. Por ajo që është më e rrezikshmja për Metën është ideja e vjetër që Rama nuk heq dorë për ta çuar atë para drejtësisë. Dosjet e përgatitura nga Rama prej disa vitesh për Metën dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë gjenden në disa kancelari të rëndësishme perëndimore. Rama do t’i aktivizojë përsëri pas zgjedhjeve për të fituar imazhin e liderit që lufton korrupsionin elitar. Madje ëndrra e tij është që një ditë në Bruksel të mburret që ndryshe nga Kroacia apo Rumania që kanë prangosur ish-kryeministrat apo kryeministrat, Shqipëria e “gjeneratës tjetër” arriti të çonte para drejtësisë edhe Presidentin e vendit. Kjo duket si një teori konspiracioni apo fantashkencë, por ajo qarkullon çdo ditë në mendjen e Ramës dhe me këtë ide ka shkuar mesa duket edhe në takimin për marrëveshjen e 18 majit 2017.

Artikulli paraprakPS nis blerjen e votave me ushqime në Tepelenë
Artikulli tjetërfaqja e pare