Hyka: Gjithçka për kombëtaren

Humbja në Luksemburg ishte një goditje psikologjike për të gjithë. Edhe për Jahmir Hykën që ndeshjen nuk e ndoqi dot, sepse po udhëtonte nga Amerika drejt Stambollit, për t’iu bashkuar kombëtares. Në këtë moment të vështirë, mesfushori ofensiv kërkon mbështetjen e të gjithëve, ndërsa e pranon se përsëritja e kualifikimit historik në Kampionatin Europian mbetet një mision i vështirë.
“Nuk e ndoqa ndeshjen në Luksemburg sepse isha duke udhëtuar. Por, pashë më pas rastet e ndeshjes. Normalisht që nuk është një rezultat i mirë përpara ndeshjes me Izraelin. Fitorja do të na jepte vetëbesim. Nuk ishte pozitive, por shpresojmë të rikthehemi me Izraelin. Çfarë po i mungon kombëtares? Kualifikimi në Europian ishte maksimumi. Të gjithë presin gjithmonë suksese të tilla. Por, duhet ta pranojmë se jemi në një grup të vështirë dhe ishte e vështirë të përsëritej ajo arritje. Në këto momente që jemi kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve, tifozëve, mediave. Ndaj Izraelit duhet të paraqitemi mirë dhe ta ndryshojmë këtë situatë”, u shpreh Hyka.
Rëndësia e sfidës së 11 qershorit në Izrael ka rritur përqendrimin në skuadër, ndërsa ashtu si edhe shokët e tjerë të ekipit, Hyka thekson se fakti cili do të jetë kapiten në Izrael nuk përbën çështje. “Është normale që pas një humbjeje ekipi të mos jetë i lumtur, sepse në të kundërt nuk do të ishte shenjë pozitive. Por, këto ditët e fundit kemi më tepër përqendrim, pasi luajmë një ndeshje të rëndësishme ndaj Izraelit. Besoj se çdokush është i përqendruar dhe gati të japë maksimumin”, tha ai.
“Më i vjetri në skuadër pas 10-11 vjetësh, shiriti? Nuk e kam pasur asnjëherë dëshirën të jem kapiten. Për mua është kënaqësi që jam këtu dhe që të përfaqësoj kombin. Nuk ka rëndësi kush është kapiten, por rëndësi ka grupi. Shiriti mund të jetë kënaqësi, por për mua ka më tepër rëndësi që ekipi të ecë përpara”. Përpos dëshirës për të luajtur, për 29-vjeçarin më i rëndësishëm është fakti që mbetet pjesë e grupit dhe nëse De Biasi do ta hedhë në fushë, Hyka premton maksimumin.
“Asnjë lojtar nuk duhet të bëjë polemika në kombëtare. Trajneri vendos se cilët luajnë. Duhet të jesh i gatshëm në çdo moment dhe unë këtë e kam bërë sa herë më është dhënë mundësia. Nuk e di çfarë do të vendosë trajneri për këtë ndeshje. Unë jam gati dhe shpresoj që formën e mirë që po kaloj në Amerikë të jap kontribut edhe në këtë ndeshje me kombëtaren. Pozicioni në fushë? Në kombëtare nuk mund të thuash që kam qejf të luaj në këtë pozicion. Fillimisht vjen grupi dhe më pas individi. Nuk ka rëndësi ku luaj, unë mundohem të jap maksimumin. Prej vitesh luaj në krahun e majtë dhe pas sulmuesit, këto janë pozicionet ku mund të jap më të mirën”, tha Hyka.
Në fund, mesfushori i San Jose Earthquakes në kampionatin amerikan foli për udhëtimet e gjata, por edhe për cilësinë e Major League Soccer. “Nuk është e lehtë të udhëtosh mbi dhjetë orë, por besoj që kjo nuk ndikon te fakti që jam pjesë e kombëtares. Për mua prezenca këtu është krenari. Më tepër problem është ndryshimi i orarit nga Amerika në Europë, por në këto dy-tre ditë jam ambientuar. Kampionati amerikan? Nuk e prisja ashtu si ka dalë. Është një futboll shumë fizik, vrapohet shumë. Ka pak ndryshim në aspektin taktik me Europën, sepse ndoshta ekipet nuk e kanë taktikën. Por, cilësia nuk mungon dhe bëhet fjalë për një kampionat në rritje”, përfundoi Hyka.

Artikulli paraprakA e bën qesharak Comey kjo dëshmi?
Artikulli tjetërFIFA: Taulant Seferi, zyrtarisht kuqezi