Në ankth për Nojer

Bajern Mynih, skuadra e kampionëve gjermanë do të vuajë pak më gjatë mungesën e të padiskutueshmit Manuel Nojer. Që prej çerekfinales së Champions Ligës ndaj Realit të Madridit, shtylla e portës bavareze ka pësuar një dëmtim si pasojë e të cilit ai mund të ecë vetëm me ndihmën e patericave.
Në fillimin e sezonit të ri, ai do të jetë kapiteni i ri i kampionëve gjermanë duke ndjekur gjurmët e Filip Lahm. Mirëpo, për fazën trajnuese të 1 korrikut, gjendja e tij nuk është dhe aq e mirë. Sipas “Sport Bild”, Nojer supozohet të jetë një prej lojtarëve, të cilët nuk do të munden të përfundojnë të gjitha fazat stërvitore, si pasojë e problemeve. Sipas infermierisë, thuhet se kapiteni i ardhshëm bavarez do t’i mungojë skuadrës edhe në rrugëtimin e Kinës nga data 16-28 korrik.
Mirëpo, ai nuk do të jetë i vetmi, pasi edhe portierët Ulraish dhe Fryshtl janë duke vuajtur dëmtimet nga sezoni. Për këtë arsye thuhet se në këtë rrugëtim kampionët gjermanë do të kenë në bordin e tyre Tom Shtarke-n. Sa i përket rikuperimit të Nojerit, infermieria ka bërë të ditur se, nëse çdo gjë shkon sipas planit, ai do të jetë gati rreth 2 javë përpara fillimit të sezonit.
Mirëpo sikurse klubi bavarez ka raportuar ditën e djeshme, edhe Tomas Myler i është nënshtruar një operacioni në gishtin e dorës së djathtë. Megjithatë, ai do të jetë gati për kombëtaren më datën 1 korrik, ndryshe nga Nojer dhe shoku i tij i skuadrës Havi Martinez. Pas stërvitjes së datës 1 korrik, ndeshja e parë testuese do të luhet në “Wolfratshausen” më 6 korrik.
Vetëm tri ditë më pas, kampionët gjermanë do të përgatiten për miqësoren e radhës në Erlagen dhe më 15 korrik Kupa e Telekom do të luhet në “Allianz Arena”, ku do të luhen takimet ndaj Arsenal, Milan, Çelsi dhe Inter. Për këto takime, thuhet se, nëse rikuperimi i Mylerit shkon sipas planit, ai do të jetë i gatshëm të marrë pjesë që në fillimin e muajit korrik.
Trajneri i Bajern Mynihut, Carlo Ancelotti dëshiron në skuadrën e tij sulmuesin e Arsenalit, kilianin Alexis Sanchez. Franck Ribery ka edhe një vit kontratë me Bayernin dhe Sanchez shihet si futbollisti adekuat për ta zëvendësuar atë. Për të arritur deri te shërbimet e yllit të Arsenalit, Bayern është gati t’i ofrojë kontratë katërvjeçare me nga 480,000 euro në javë apo 23 milionë euro në vit, shkruan “Kicker”.
Kështu Sanchez do t’i thyente të gjitha rekordet në Gjermani, duke u bërë lojtari më i paguar ndonjëherë. Deri më tani më i paguari ka qenë Robert Lewandowski, i cili ka marrë nga 14 milionë euro në sezon. Sanchez me Arsenalin ka kontratë vetëm deri në vitin 2018.

Artikulli paraprakMessi akord për rinovimin, klauzolë 400 milionë euro
Artikulli tjetërKE: Shqipëria, borxhe dhe mungesë investimesh