Me notën 4, duan edhe vota!

Ilir Meta ka pranuar publikisht se qeverisja e tij me Ramën në dy vitet e fundit meriton notën katër nga shqiptarët. Meta ka ngelur në klasë koalicionin mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për bashkëpunimin gjatë dy viteve të fundit dhe megjithatë ai ka kërkuar votat e shqiptarëve ndonëse pranoi dështimin. Sipas Metës, performanca e koalicionit PS-LSI në drejtim të qeverisjes ishte pozitiv në dy vitet e para, por në dy vitet e fundit nuk kalon as klasën. “Në dy vitet e para, ky koalicion ka notën 8+, në dy vitet e fundit nuk kalon as 4”, tha Ilir Meta në emisionin “Opinion”. Meta ka tentuar mbrëmë të bëjë diversion në PD duke tentuar që të mund të marrë votat nga demokratët. Taktikat e Metës janë tipike byzantine. Rama dhe Meta janë sot Republika e Vjetër që meriton të përmbyset.

Basha sfidon Ramën: Debat me dy pjesë

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka sfiduar sërish Ramën dje, ndërsa i ka bërë një ofertë atij lidhur me ftesën për debat televiziv. Gjatë mitingut elektoral të PD në Kombinat, Basha ftoi Ramën që debatin ta ndajnë në dy pjesë. Në pjesën e parë të flasin për Republikën e Re dhe programin ekonomik të PD, ndërsa në pjesën e dytë të flasin për Republikën e Vjetër dhe pikturat e kryeministrit. “Eja në debat Edi Rama mos ki frikë, mos shko skutave, duke folur për programin ekonomik të Republikës së Re. E ndamë debatin në dy pjesë një pjesë të Republikës së Re një pjesë të Republikë së Vjetër. Po të jap këtë ofertë, s’ke për ta pranuar e di. Oferta e Republikës së Re, eja të bëjmë debatin e programit ekonomik. Hajde të bëjmë debat për programin tim meqë e ke merak. Eja do ta humbësh atë debat me sukses. Por po që mos humbësh, eja bëjmë edhe një debat për pikturat dhe jam i sigurt që aty do të fitosh se aty je ekspert”, tha Lulzim Basha. Basha hodhi akuza të ashpra ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Nga zona e Kombinatit në Tiranë, atje ku Tahiri ka qenë deputet, Basha tha se, ai ishte trafikant dhe u bë ministër dhe se ai është emblema e dështimit. Basha: Ja ku jemi në Kombinat, të mbajtur përdhunshëm nën hijen e një trafikanti që u bë ministër i Brendshëm, i një njeriu që nuk kishte asnjë lidhje me rendin dhe sigurinë, e mashës së Edi Ramës që e shndërroi Ministrinë e Brendshme dhe institucionet me më shumë kriminelë se sa burgjet e vendit dhe e mbushi vendin me drogë. Saimir Tahiri është emblema e dështimit dhe kriminalizimit total të Shqipërisë, e vetmja arritje e Edi Ramës dhe koalicionit të dështuar në këto katër vite. Ja ku jemi në Kombinatin e pa punë. Basha ka folur për diçka të madhe që po vjen, ndërsa pohoi se Republika e re po jetësohet. Ai theksoi se, sheshet e qyteteve të Shqipërisë janë mbushur plotë në takimet elektorale që mban PD-ja. “Diçka e madhe po ndodh anë e mbanë vendit. Sot u ktheva nga Elbasani, paradite isha në Korçë. Sheshet e Republikës së Re po mbushen plotë. Momenti për t’i dhënë fund qeverisë së vjetër erdhi. Shqipëria u është mirënjohës atyre burrave dhe grave, që nga dhjetori ’90 dhe sot ku sprapsën Republikë e vjetër, rrëzuan gjysmën e kabinetit të krimit. Do çojmë dhjetëra zyrtarë për ndjekje penale. Detyruam republikën e vjetër që të firmosë kapitullimin e saj. Detyruam republikën e vjetër të nënshkruajë në 18 maj fundin e saj”, pohoi ai.  Mes të tjerash, Basha tha se takimi në Kombinat ishte i fundit i hapjes së fushatës, duke e cilësuar këtë zonë si ‘qershia mbi tortë’. “Kushtetuta e re e Republikës së Re do të jetë akti i parë i lëvizjes popullore që filloi në 18 shkurt. Për herë të parë në 27 vite si në çdo vend europian nuk do të jenë politikanët që do të kenë në dorë qytetarët, por populli do të ketë në dorë politikanët, bashkiakët. Kjo do të jetë hera e fundit që deputetët nuk burojnë nga gjykimi juaj. Nëse ata pasi vijnë në pushtet nuk mbajnë premtimet do të keni mundësinë t’i shkarkoni sipas modelit europian. Do të themelojmë Republikën e vërtetë të njerëzve të thjeshtë. Numri 6 përfaqëson shumë më shumë sesa koalicioni opozitar. Përfaqëson kauzën qytetare të Republikës se Re”, tha Basha.

Artikulli paraprakBerisha në Hungari, diskutime për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor
Artikulli tjetër2 milionë euro llogari, Gjykata heq sekuestron për 3 italianë