10.2 ton drogë nga Durrësi drejt Italisë, lirohen 10 doganierët

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka liruar 10 nga nga 21 të arrestuarit me kërkesë të Prokurorisë dy muaj më parë, si të përfshirë në trafikun e 10.2 ton drogë nga Durrësi me kamion drejt Italisë. Në mesin e personave të liruar janë agjentë doganorë, punonjës të doganës dhe efektivë të policisë me detyrën e kontrollorëve.
Burimet thonë se, veç të liruarve nga qelia, disa të tjerëve i është ndryshuar masa e sigurisë, nga ajo e “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, duke ulur kështu numrin e personave që mbetën në qeli. Në vendimin e lirimit të tyre, Gjykata ka arsyetuar se nuk ka prova konkrete që përfshijnë të liruarit në rrjetin e trafikut të drogës, të dyshuar nga Maqedonia në Shqipëri dhe më pas drejt Italisë. Burimet thonë se edhe të dyshuarit që nuk janë liruar nga dy shkallët e gjyqësorit, i janë drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë, duke kërkuar lirimin nga burgu.
Të dyshuarit e kësaj dosje, që tashmë janë liruar, u akuzuan nga Prokuroria se me mosveprimet e tyre kanë favorizuar dy kamionë, të ngarkuar me rreth 10 tonë drogë, që u kapën në Itali, për të kaluar pikat e kalimit kufitar të Qafë-Thanës dhe Portit të Durrësit.
Nga ana tjetër burimet nga Prokuroria, bëjnë të ditur se autoritetet italiane ende nuk kanë sjellë letër-porosinë për provat e gjetura në dy kamionët që kaluan Portin e Durrësit me rreth 10 ton hashash. Ajo për të cilët hetuesit ende nuk kanë gjetur një përgjigje, është fakti se ku u ngarkuan 8 ton drogë që u kapën në Itali bashkë me shoferin maqedonas.
Pasi në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës ky kamion nga skaneri dhe kontrolli rezultoi se ishte bosh dhe u plumbos nga doganierët. Por pas disa orë udhëtimesh nëpër Shqipëri, ai ka kaluar nga Porti i Durrësit pa ju nënshtruar kontrollit, duke përfunduar në Ankona të Italisë, ku policia gjeti dhe bllokoi 8 ton hashash. Veç këtij rasti, Prokuroria në këtë dosje po heton edhe kalimin e kamionit me 2 ton hashash nga Porti i Durrësit që më pas u bllokua në Itali.

Artikulli paraprakHidhet në erë me tritol një lokal në Vlorë
Artikulli tjetërBanorët e Labovës akuzojnë Tavon: Na ka lënë pa bukë