Ministri Jashtëm, Dimtmir Bushati, njëkohësisht kryesuesi i listës së PS për deputet në Shkodër ka urdhëruar OSHEE-në që t’i presë energjinë elektrike TV “Rozafa”. Për këtë ngjarje, me urdhër politik të kryesuesit të listës së Partisë Socialiste të Shkodrës, Ditmir Bushati, Televizionit “Rozafa” dhe Radio “Motiv”, i ndërpritet energjia elektrike nga OSHEE Shkodër!
Një vendim absurd, i cili vjen në një kohë kur TV “Rozafa” dhe Radio “Motiv” kanë mbajtur qëndrim korrekt në pasqyrimin mediatik të aktiviteteve të forcave politike, sipas njoftimeve të bëra nga ato vetë.
Sjellja e pa precedent prej një gangsteri dhe jo një ministri të Jashtëm, i cili shfrytëzon ndikimin e tij politik tek drejtuesit e OSHEE Shkodër, urdhëron “mbytjen” e zërit të lirë. Televizioni “Rozafa” dhe Radio “Motiv” i sqarojnë zotit Ditmir Bushati dhe Partisë Socialiste, se është Bordi i Monitorimit të fushatës elektorale pranë AMA, i cili monitoron kohën e shfaqjes mediatike të partive politike në këtë fushatë elektorale, dhe jo partitë politike.
I bëjmë thirrje Partisë Socialiste të Shqipërisë të heqë dorë nga shantazhimi dhe sulmet politike ndaj TV “Rozafa” dhe Radio “ Motiv”!
Kërkojmë nga drejtori i Përgjithshëm i OSHEE që të marrë masa ndaj zbatuesve të urdhërit, të cilët janë vënë në dispozion të Partisë Socialiste, duke u kthyer në shantazhues dhe gjobëvënës ndaj medias dhe fjalës së lirë. Njoftojmë opionin se, TV “Rozafa” dhe Radio “Motiv” nuk do reshtin asnjëherë së transmetuari të vërteten në respekt të shikuesve dhe dëgjuesve tanë besnik.
Reagon PD: PS synon mbytjen e zërit të lirë
Partia Demokratike, dega Shkodër denoncoi dje ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike nga ana e OSHEE-së, të TV “Rozafa”. Në një njoftim për shtyp të degës së PD Shkodër thuhet se, një veprim i tillë, jo vetëm që është i paprecedent dhe absurd, por kemi arsye të forta të besojmë se ai ka prapavijë politike dhe se është bërë me urdhër nga kryesuesi i listës së PS-së për Shkodrën, Ditmir Bushati.
“PD, Dega Shkodër e dënon me forcë këtë veprim të OSHEE-së, veprim i cili synon “mbytjen” e zërit të lirë, të mediave të pavarura politikisht. I kujtojmë zotit Bushati që duhet të heqë dorë sa më parë nga veprime të tilla, nëpërmjet shantazheve dhe sulmeve politike, të cilat tentojnë të mbyllin zërin e mediave të lira dhe demokratike.
I kërkojmë drejtuesve më të lartë të OSHE-së në qendër që të marrin masa të menjëhershme për vënien para përgjegjësisë zbatuesve të këtij urdhëri me prapavijë politike, të cilët nuk bëjnë asgjë tjetër, vetëm se janë vënë në dispozicion të Partisë Socialiste, duke u kthyer në shantazhues dhe gjobëvënës ndaj medias dhe fjalës së lirë.
Bëjmë me dije se, PD do të jetë gjithmonë e rreshtuar përkrah të gjithë atyre mediave, që nëpërmjet fjalës së lirë, realizojnë qëllimin që ato i kanë vënë vehtes, atë të informimit të opinionit publik mbi fakte dhe ngjarje reale”, thuhet në njoftimin për shtyp.