Armand MAHO
Shqipëria është vendi i dytë më i keq në botë për të jetuar. Vendin e parë e zë Sierra Leone, një vend i cili vazhdon të jetë nën pushtetin e bandave të luftës civile dhe ku një pjesë e mirë e popullsisë përdoren si skllevër në minierat e diamantit. Plot 56% e shqiptarëve kanë shprehur gatishmërinë për të emigruar në rast se i jepet mundësia. Shqipëria renditet dhe më keq se Siria, e cila prej 6 vitesh është në luftë civile.
Sondazhi
Agjencia e njohur e sondazheve Gallup ka bërë një sondazh me 587 mijë njerëz nga 160 vende të ndryshme të botës. Sipas Gallup, në listën e vendeve ku njerëzit duan ta braktisin vendin, Shqipëria mban vendin e dytë me 56% të popullsisë që kërkon ta braktisë. Më mirë se ne paraqiten dhe vende si Haiti, Kinshasa, Congo, Gana, Sudani, Nigeria, madje dhe fqinji ynë Bosnje-Hercegovina. Vendi më i keq se sa ne është Sierra Leone e zhytur në luftëra civile dhe ku jetëgjatësia mesatare e njerëzve atje është 30 vjeç. Si shkak kryesor se përse shqiptarët kërkojnë të emigrojnë në këto përmasa, Gallup rendit papunësinë, gjendjen e rënduar ekonomike dhe mungesën e shpresës. Shifrat janë më shumë se skandaloze për një vend që aspiron të anëtarësohet në BE dhe është vend anëtar i NATO-s, tashmë prej 9 vjetësh. Në fakt shenjat shqiptarët i kanë dhënë, por vetëm Edi Rama s’ka dashur t’i pranojë ato. Por në pasqyrën e sondazhin bëhen krahasimet dhe para vitit 2013 dhe rezulton një tjetër panoramë. Sipas sondazhit, deri në vitin 2013 vetëm 36 për qind e shqiptarëve shprehnin dëshirën për të emigruar. Por duket se gjithçka ka ndryshuar pas këtij viti, kur Rilindja mori pushtetin. Deri në vitin 2016, pra në një hark kohor prej tre vitesh, shifra e shqiptarëve është rritur dhe me 20 për qind të tjera ose pak a shumë 600 mijë më shumë shqiptarë që kërkojnë të largohen nga vendi i tyre për shkak të mungesës së shpresës. Kjo është prova më e mirë, e asaj se çfarë po ndodh në këtë vend nën qeverisjen e Edi Ramës, i cili me anë të metodave të tij ka vrarë shpresën dhe ka rritur papunësinë dhe varfërinë ndër shqiptarë, duke detyruar forcën më aktive për punë të shohë të ardhmen për veten dhe fëmijët diku tjetër.
Rritja alarmante
Në bazë të shifrave të 1 janarit të vitit 2016, aktualisht në vend jetojnë rreth 2, 886, 025 persona. Mosha mesatare është 34 vjeç, pra një moshë e re dhe aktive. Në rast se bëjmë një llogari me shifrat e publikuara nga Gallup atëherë rezulton se më shumë se 1.6 milionë shqiptarë, pjesa më aktive e shoqërisë sheh si rrugëzgjidhje braktisjen e vendit. Në rast se kësaj shifre i shtojmë dhe 1.4 milionë shqiptarë që kanë braktisur vendin në këto 27 vjet, atëherë i bie që gati 75% e popullsisë jetojnë apo kërkojnë të jetojnë jashtë vendit. “Suksesi” i qeverisë Rama qëndron në faktin se ka bërë të mundur që të vrasë shpresën e shqiptarëve në 3 vjet, sa nuk e kanë vrarë të gjitha qeveritë e marra së bashku në 27 vjet. Në fakt ai e përsërit gjithmonë se ka punuar sa për 27 vjet, por shifrat tregojnë se ka punuar për të keqen e këtij vendi duke u munduar t’i shtojë varfërinë, papunësinë dhe përkeqësojë me sa mundet nivelin e jetës atyre që e votuan para katër vjetëve.
Eurostat: Kërkesat për azil nga Shqipëria arritën në 439% më shumë
Sipas të dhënave të Eurostat, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. Një tjetër rekord ishin aplikimet për lotarinë amerikane, që në vitin 2015 arritën në 200 mijë. Kjo shifër mbeti e palëvizur dhe në vitin 2016. Sipas mediave britanike, brigjet e Anglisë po kthehen në destinacionin më të fundit të emigrantëve shqiptarë. Nga Shqipëria deri në vitin 2013 mendohet të ishin larguar rreth 30% e popullsisë, ndërsa në regjistrimin e fundit të vitit 2016, kjo shifër kishte arritur në 40 për qind të saj. Pra, mund të thuhet se Rama në 3 vjet e ka rritur numrin e atyre që kërkojnë të largohen aq sa është rritur në një nga dekadat e fundit dhe kjo rrjedhje po vazhdon gjithnjë e më shumë. Ministria e Brendshme e Gjermanisë paralajmëroi se, Shqipëria është vendi, i cili ka pasur kërkesat më të shumta pas Sirisë në vitin 2016. Sipas njoftimeve të ministrisë, në vendin e parë për kërkesa për azil ishin refugjatët nga Siria për të pasuar ata nga Shqipëria, Afganistani dhe Iraku. Nëse i analizojmë të gjitha shtetet me radhë, Shqipëria dhe Kosova kanë arsye kryesore për emigrim ekonomik. Sipas një përllogaritjeje, nëse vazhdohet me këto ritme Shqipëria në një të ardhme jo shumë të largët do të ketë një popullsi shumë të vogël.
Humbja e shpresës dhe një krahasim me qeverisjen e PD-së
Përgjatë viteve kanë emigruar në botë rreth 1.4 milionë mijë shqiptarë, ku natyrisht pjesën më të madhe të largimeve e kryesojnë vitet ‘90-të. Hemorragjia do të vazhdonte dhe për pjesën e parë të viteve 2000, por kurba do të zbriste diku pas vitit 2006. Me marrjen të pushtetit nga qeveria e PD në vitin 2005, u vu re një hov jo i paktë zhvillimi, ku ekonomia rritej me shifra dyshifrore. Në vitin 2007 për shembull, rritja ekonomike kapi shifrat e 12 për qindëshit. Por nga ana tjetër, një sërë zhvillimesh si anëtarësimi në NATO në vitin 2008 apo dhe liberalizimi i vizave në vitin 2010 do të ndiznin një rreze shprese, e cila frenoi ikjen e shqiptarëve nga vendi i tyre. Ulja e taksave, thithja e investitorëve, krijimi i hapësirave në arsim, punimet në infrastrukturë e turizëm do të hapnin jo pak vende pune për inxhinierë, ekonomistë dhe specialistë të të gjitha fushave. Në vitin 2008, për shembull niveli i varfërisë shënoi ulje në rekorde historike diku tek 11 për qind. Të gjitha këto bënë që trendi i të larguarve të ulej. Ky trend u mbajt dhe përgjatë kohës së krizës globale, që filloi në vitin 2009. Megjithëse në vitet 2010-2013, (që përkon dhe me liberalizimin e vizave), ajo ishte në kulmin e saj sërish numri i atyre që kërkonin azil në vendet e BE-së ishte afër zeros. Kjo bënte që Shqipëria të përmendej në raportet evropiane si vendi shembull që respektonte rregullat e Shengenit.