Ceremonia e inaugurimit të Sheshit “Skënderbej” ku u harxhuan rreth 2 milionë euro të taksapaguesve u bë për fushatë elektorale nga Rama dhe Veliaj. Ndonëse ndalohet me ligj përdorimi i parave të taksapaguesve gjatë fushatës elektorale, Rama dhe Veliaj harxhuan plot 2 milionë euro për festën e inaugurimit të Sheshit “Skënderbej”. Vetëm ndriçimi dhe fonia e aktivitetit kushtojë 80 mijë euro, ndërsa çmimi i ekranit të madh arrin deri në 50 mijë euro.
Inaugurimi i Sheshit “Skënderbej” u la pikërisht në kulmin e fushatës elektorale për të mashtruar popullin se, gjoja Bashkia e Veliajt dhe qeveria e Ramës po investojnë për Tiranën në një kohë që qendra e Tiranës është masakruar ndonëse janë shpërdoruar 16 milionë euro të taksapaguesve të kryeqytetit.
Për këtë skandal ka reaguar dje edhe ish-Kryeministri Berisha. Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha shkruan se, janë harxhuar mbi 2 milionë euro për festime dhe inaugurime elektorale në qendër të Tiranës. Berisha i bën thirrje Prokurorisë të nisë me përparësi hetimin për këtë abuzim korruptiv dhe shkelje madhore të ligjit elektoral.
“Mbi 2 milionë euro, festime dhe inaugurime elektorale në qendër të Tiranës! Sot, Edi Rama dhe Lal Plehu organizuan, me shpenzime të jashtëzakonshme, në dhunim të plotë të ligjit elektoral, të kartës së Kopenhagenit për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, inaugurimin elektoral dhe javën e koncerteve elektorale në Sheshin “Skënderbej”.
Në këto ceremoni dhe aktivitete, burime të brendshme bëjnë me dije se po shpenzohen mbi dy milionë euro nga buxheti dhe klientela. Qëllimi i këtyre veprimtarive është i dyfishtë.
Së pari, elektoral dhe vetëm elektoral. Rama në këtë prag humbje nuk njeh ligj as standard.
Së dyti, me fiaskon e madhe që pësoi ky projekt dhe dhjetëra kritika të ekspertëve vendas dhe të huaj, Rama dhe Lal Plehu duan të meresojnë sadopak pamjet e sheshit, të cilin duan ta paraqesin si sheshin e 70 mijë luleve dhe 2200 pemëve paçka se të numëruara lulet dhe pemët janë së paku 15 herë më pak. I bëj thirrje Prokurorisë së shtetit të nisë me përparësi hetimin për këtë abuzim korruptiv dhe shkelje madhore të ligjit elektoral dhe kritereve të Kopenhagenit për zgjedhjet e lira!”, shkruan Berisha.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka harxhuar plot 16 milionë euro për pllakat e vendosura në Sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës. E sikur të mos mjaftonte ky skandal korrupsioni, pllakat e vendosura në shesh janë të thyera. Punimet janë kryer me cilësi shumë të dobët dhe shumë shpejt, pllakat do të dalin jashtë përdorimit për t’u zëvendësuar me të tjera dhe për të harxhuar miliona lekë të tjera nga lekët e taksapaguesve të kryeqytetit.
U lajmërua rreth një vit më parë, që projekti i ri për ndërtimin e këtij sheshi do të zgjaste plot 12 muaj dhe se vlera e tij do të ishte 16 milionë euro. Kur morëm vesh se i gjithë sheshi do t’u dedikohej këmbësorëve dhe do të kishte edhe gjelbërim, menduam se diçka e mirë do të bëhej në këtë qytet, por ky ishte zhgënjimi më i madh i qytetarëve nga Veliaj.
Sot, sheshi do të inaugurohet, por po të shikosh pllakat, asnjëra s’ka lidhje me tjetrën. Shumë prej tyre janë të thyera, të krisura dhe pa kombinimin e ngjyrave.
Para pak ditësh ish-Kryeministri Berisha e komentoi këtë gjendje të sheshit, si një shesh të Lal plehut. “Ky është sheshi i Lal plehut! Në shi do të kalohet me gomone, kurse në vapë merrni xhezvet me vete për të bërë kafen!!”, shkruante Berisha, në një postim në Facebook pra pak ditësh.
Megjithë paratë e harxhuara, metropolit shqiptar i është bërë një masakrim. Ndërtimet që janë kryer në shesh kanë lënë pa fjalë qytetarë që e jetojnë mbi kurrizin e tyre këtë masakër.
Specialistët shprehen se, me Sheshin “Skënderbej” është bërë një masakër e vërtetë, ndërsa 16 milionë eurot e harxhuara nga Bashkia nuk justifikojnë punimet e kryera. Me këto para të harxhuara mund të kryheshin investime jo vetëm për sheshin, por për të gjithë Bulevardin. Tenderi për këtë shesh është bërë vetëm për të mbushur xhepat e Veliajt dhe të miqve të tij. Veliaj rriti taksat dhe falimentoi biznesin, duke mbyllur vende pune dhe këtë e cilëson si një arritje të Bashkisë së Tiranës.
R.POLISI