Në të ardhmen e Mohamed Salah është Liverpooli. Egjiptiani arriti marrëveshjen personale me “Reds”, ndërsa tashmë pritet edhe akordi i anglezëve me Romën. Nga shitja e Salah, verdhekuqtë pritet të përfitojnë 35 milionë euro, të cilave u shtohen edhe 5 milionë bonus. Si zëvendësues Roma po vlerëson Denis Suarez të Barcelonës dhe talentin e Real Madrid, Mariano Diaz.
Interi ka gati ofertën me vlerë 25 milionë euro për Alan Ruiz, mesfushorin ofensiv të Sporting Lisbonës. Megjithatë shifra është cilësuar e pamjaftueshme, pasi “luanët” pretendojnë rreth 30 milionë për mesfushorin ofensiv. Për më tepër, argjentinasi 23-vjeçar nuk dëshiron të largohet nga Lisbona.
Napoli në ndjekje të Adam Ounas, mesfushorit ofensiv të Bordeaux. Drejtuesit e klubit të Serisë A do të takohen me homologët francezë për të mbyllur marrëveshjen, për një transferim që vlerësohet nga 6 deri më 8 milionë euro. Një tjetër objektiv në merkaton e Napolit është edhe mbrojtësi zviceran i Udinese-s, Silvan Widmer.
Emër i ri në listën e Lazios për merkaton e verës. Bardhekaltërit interesohen për Hakan Calhanoglu të Bayer Leverkusen. Lojtari turk pëlqehet nga drejtuesit e Lazios, por ekipi italian nuk është i vetmi që e ndjek 23-vjeçarin. Për Calhanoglu interesohen edhe Arsenali e Chelsea, ndërsa gjermanët pretendojnë të paktën 20 milionë euro për lojtarin.