Ministri i Drejtësisë, Gazment Bardhi, ka shkarkuar dje nga detyra drejtorin e Burgut të Vlorës, Bashkim Habilaj, si dhe drejtorin e Burgut të Fushë-Krujës, Albert Malaj, me motivacionin e braktisjes së detyrës dhe keqmenaxhimit të institucionit. Zyrtarisht, Ministria e Drejtësisë thotë se, drejtori i burgut Vlorë, “pa asnjë arsye të përligjur dhe pa asnjë njoftim, nuk paraqitet në detyrë prej disa ditësh. Kjo sjellje përbën braktisje të detyrës dhe është administrativisht dhe penalisht e dënueshme”.
Ndërsa drejtori i Burgut të Fushë-Krujës, thotë ministri, “nuk ka menaxhuar në mënyrë efektive stafin nën varësinë e tij, ku janë vërejtur mungesa të pajustifikuara; ka lejuar, nëpërmjet mosveprimit, futjen e sendeve të ndaluara në institucion, ku përfshihen jo vetëm telefona celular, por edhe pije të ndryshe alkoolike; ka lejuar, nëpërmjet mosveprimit, shkeljen e rregullave mbi oraret e regjimit të brendshëm, duke shkaktuar kaos në institucion, si dhe duke rrezikuar sigurinë; ka shkelur rregullat mbi kontraktimin e operatorëve tregtarë që veprojnë brenda IEVP; si dhe ka shkelur rregullat e takimeve të lejuara midis të burgosurve dhe familjarëve të tyre, si dhe rregullat e akomodimit të të dënuarve”.
Gjithashtu po dje, ministri teknik i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka urdhëruar emërimin e drejtuesve të rinj të sistemit të burgjeve dhe konkretisht të zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe drejtuesve të 8 burgjeve në Shqipëri (Tropojë, Burrel, Fier, Rrogozhinë, “Jordan Misja”, Lezhë, Vlorë dhe Fushë-Krujë), si dhe drejtuesve të rinj të Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Durrës, Shkodër dhe Sarandë).
Por penalizime të tjera duken në horizont. “Ministria e Drejtësisë është duke monitoruar nga afër veprimtarinë e të gjitha institucioneve të varësisë së saj dhe në ditët në vijim do të informojë opinionin publik me rezultatet e këtij monitorimi. Ministri i Drejtësisë gjen rastit të paralajmërojë çdo zyrtar që të mos përdorë funksionin publik për qëllime politike, sepse do të përballet me pasojat e këtij veprimi të paligjshëm, jo vetëm administrativisht, por edhe penalisht. Deri më tani, janë në verifikim dhe proces dokumentimi raste të shumta, ku për qëllime politike, po përdoret veprimtaria e administratës shtetërore”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ministria e Drejtësisë bën edhe një ftesë të hapur për çdo qytetar “që të denoncojë, të gjitha rastet e përfshirjes në fushatë apo përdorimit të funksionit publik në favor të një subjekti zgjedhor, si dhe garanton qytetarët jo vetëm për ruajtjen e anonimatit, por edhe për ndjekjen me seriozitet maksimal të këtyre rasteve, duke qenë garant i zbatimit korrekt të ligjit”.
Bardhi siguron se është i vendosur në zbatimin e ligjit dhe do të veprojë me tolerancë zero për çdo veprimtari politike në kundërshtim me ligjin të punonjësve së administratës shtetërore në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.