Demiraj pret ambasadorin e Austrisë: Prioritet zgjedhjet dhe lufta ndaj drogës

Ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj priti dje në një takim ambasadorin e Austrisë, Johann Sattler, me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit të shkëlqyer dy palësh në fushën e sigurisë. Ambasadori Sattler i shprehu ministrit Demiraj përgëzimet për postin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe nënvizoi dëshirën për thelluar bashkëpunimin shumëplanësh, thuhet në njoftim të Zyrës së Shtypit pranë MB. Ambasadori Sattler ndau me ministrin Demiraj pikëpamje mbi fenomenin e shit-blerjes së votës dhe depolitizimit të administratës publike në fushatën zgjedhore.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Demiraj u përqendrua tek prioriteti madhor i mandatit të tij, garantimin e një procesi zgjedhor të pacenueshëm përmes masave intensive për mbarëvajtjen e fushatës dhe ditës së zgjedhjeve, duke neutralizuar subjekte, individë dhe grupe kriminale që minojnë procesin demokratik të votës së lirë.
Ministri Demiraj informoi ambasadorin austriak për porositë e veçanta që ju është dhënë disa drejtorive vendore të Policisë së Shtetit për të parandaluar mundësinë e blerjes së votës nga burime të paqarta në ditët në vijim. Ministri Demiraj vuri në dukje sfidën e pastrimit të territorit të Republikës së Shqipërisë nga kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, si dhe heqjen e emrit të Shqipërisë nga raportet ndërkombëtare përsa i përket drogës.

Artikulli paraprakFushata, Ministria e Financave monitoron doganat dhe tatimet
Artikulli tjetër2 ton drogë e armë nga Shqipëria kapen në Itali