“Janë kohë të errëta për lirinë e shtypit dhe të mendimit dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi”, thotë avokati egjiptian dhe veprimtari i të drejtave të njeriut, Gamal Eid. Kundër tij dhe aktivistit të të drejtave të njeriut, Hossam Bahgar pritet të kryhet procesi gjyqësor për shkak të “njollosjes së emrit të vendit tënd” – dënimi në fund të procesit është i paqartë.
“Sot është e rrezikshme që të punosh si gazetar ose të thuash mendimin tënd në një roman, në internet ose në një gazetë”, i tha Eid “Deutsche Welle”-s duke folur jo vetëm për vendin e tij Egjiptin, por për të gjithë Afrikën Veriore dhe Lindjen e Afërme.
Ky vlerësim është i vlefshëm për të gjithë botën, thotë raporti vjetor i Organizatës Reporterë pa Kufij. Në vitin 2015, ishin 110 gazetarë, 27 qytetarë gazetarë dhe shtatë bashkëpunëtorë të mediave që e paguan punën me jetën e tyre. Raportin “Reporterë pa Kufij” e publikon në bazë të një pyetësori të gjerë dhe të vëzhgimeve në 180 vende.
Me titullin “Liria e mediave në tërheqje në të gjithë botën”, organizata përmbledh zhvillimin negativ të vitit 2015. “Nuk ka një emërues të përbashkët, por janë disa, ku mund ta reduktosh punën”, thotë atasheu i shtypit i Reporterëve pa Kufij, Christoph Dreyer.
Dekorim i DW-së për kryeredaktorin e “Hürriyet”
Në Turqi gazetarët nxirren në mënyrë masive para gjyqit, ndërsa faqet e internetit bllokohen. Mbajtësi i Freedom of Speech Award të “Deutsche Welle”-s për këtë vit është kryeredaktori i “Hürriyet”-it, Sedat Ergin, i cili si shumë gazetarë ndodhet para gjyqit, për gjoja fyerjen e Presidentit të shtetit Erdogan. Ai e merr çmimin “në emër të qindra gazetarëve në Turqi, të cilëve u duhet të punojnë në kushte të ngjashme”, thuhet në argumentimin e Drejtorit të Përgjithshëm të DW, Peter Limbourg.
Luftim i terrorit në kurriz të lirisë së mediave
Edhe Dunja Mijatoviç e sheh me shqetësim zhvillimin e përbotshëm. Që prej vitit 2010, ajo është e Ngarkuara për Lirinë e Medies e OSBE-së-Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – dhe i ndjek zhvillimet në 57 shtete partnere të organizatës me shqetësim.
“Shtetet e OSBE-së nuk dallohen shumë nga pjesa tjetër e botës, kur bëhet fjalë për lirinë mediatike dhe për gazetarinë”, thotë ekspertja për mediat dhe të drejtën e mediave në intervistë me DW.
Ajo përmend veçanërisht masat antiterror, të cilat e kanë kufizuar në shumë vende lirinë e shtypit dhe të medieve. “Nuk është fjala që të kufizohet e drejta legjitime e një qeverie për të luftuar terrorin ose kërcënime të tjera”, thekson ajo. “Vetëm se kjo nuk duhet të ndodhë në kurriz të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së mendimit. Liria mediatike është një pjesë thelbësore e demokracisë”.
Në lirinë e mediave bën pjesë edhe interneti. Sepse shtypja e mediave ka kohë që kryhet edhe në formë dixhitale.
“Fusha e re e betejës për mediat e lira është hapësira kibernetike”, thekson Mijatoviç në intervistë me DW. “Globalizimi i mediave dhe aksesi në informacion dhe jo së fundi edhe gazetarët e rinj blogera, i bëjnë shumë nervoze qeveritë. Dhe ato përpiqen ta shtypin këtë dixhitalizim”.
Reporterët pa Kufij kritikojnë në SHBA mbikëqyrjen gjithnjë e më të madhe të shtypit nga shërbimet informative dhe kritikojnë përndjekjen e atyre që nxjerrin sekretet, whistleblower, nën Presidencën e Barack Obamas.
Programe censure në vende si Kina ose edhe në Iran e bllokojnë qasjen e qytetarëve te faqe të padëshiruara interneti. Edhe Turqia e praktikon me dëshirë bllokimin e faqeve kritike të internetit.