Luciano Spalletti, trajneri i ri Interit, është shumë afër që ta realizojë transferimin e parë në këtë verë. Sipas “Corriere dello Sport”, nerazzurrët janë vetëm një hap larg transferimit të Lucas Mouras nga Paris Saint-Germain. Tani Interit i duhet që të arrijë marrëveshje edhe me klubin francez, i cili ka kontratë me brazilianin deri në vitin 2019. Thuhet se Paris Saint-Germain po mundohet që ta shfrytëzojë Mouran për ta transferuar Ivan Perisiçin. Por, vështirë se do t’ia arrijnë qëllimit pasi kroati është pranë transferimit në Manchester United.
Po ashtu, Spalletti ka kërkuar edhe transferimin e mesfushorit 32-vjeçar të Fiorentinës, Borja Valero, shkruan “Sky Sport Italia”. Spalletti e kishte kërkuar edhe gjatë kohës që kishte qenë trajner i Romës, ndërsa tashmë e dëshiron edhe në skuadrën e re. Valero që tek Fiorentina u transferua në vitin 2012, ka kontratë deri në vitin 2019.
Domeniko Krishito, dëshiron të rikthehet në Itali pas aventurës 7-vjeçare me Zenitin në kampionatin rus. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, Interi është i gatshëm ta mirëpresë lojtarin, duke parë edhe nevojën që skuadra ka për një mbrojtës të majtë. Krishito gëzon simpatinë e trajnerit Spalletti.
Mediat italiane të mërkurën raportuan se Interi po synon transferimin e mesfushorit të Wolfsburgut, Luiz Gustavo. Por, drejtori sportiv i ekipit nga Bundesliga, Olaf Robbe, ka bërë të ditur se nerazzurrët nuk kanë bërë asnjë ofertë për lojtarin. “Ne nuk kemi marrë ndonjë ofertë për Gustavon”, ka deklaruar Robbe për mediat gjermane. Ish-anëtari i Hoffenheim dhe Bayern Munich ka kontratë me Wolfsburgun deri në vitin 2018.
Spalletti gjatë prezantimit si trajner i zikaltërve ka premtuar rikthimin e Interit në majat e futbollit. I pyetur nga gazetarët se përse zgjodhi skuadrën zikaltër, Spalletti u përgjigj: “Përse zgjodha Interin? Është shumë e thjeshtë t’i përgjigjem pyetjes. E zgjodha Interin, sepse kur m’u propozua roli i trajnerit, e dija që do të ishte një aventurë e mbushur me momente të bukura, të cilat unë doja t’i përjetoja. Do të bëhesha pjesë e një klubi të madh. Dua ta shoh Interin, në dy këndvështrime. Si aktor, pra si protagonist dhe si spektator në rreshtin e parë, për t’i kuptuar më mirë gjërat, do të jetë vërtet diçka e jashtëzakonshme. Interin do ta rikthejmë në majat e futbollit”, u shpreh Spalletti. Përsa i përket skemës, Spalletti mendon për një 4-2-3-1, por ende nuk është i konfirmuar. Pjesa tjetër nëse do t’ia dalë dot Interi të zbresë Juventusin nga froni, këtu tekniku mundohet të tregohet disi i kujdesshëm, por shprehet se Interi i tij nuk do t’i trembet askujt.