Mbështetja e Trump, çfarë presin aleatët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi dje menjëherë pas mbërritjes nga SHBA se, Partinë Demokratike dhe opozitën e ndajnë vetëm dhjetë ditë nga fitorja e zgjedhjeve të 21 qershorit. Basha para të pranishmëve që kishin dalë për ta pritur tha se kjo datë, pra data 25 qershor do të jetë dhe ndarja përfundimtare e vendit nga republika e drogës, e korrupsionit dhe e politikës së vjetër. Basha tha se, takimi me Trump ishte i jashtëzakonshëm dhe se ka marrë garancinë e Presidentit Trump për mbështetjen e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët. “I jashtëzakonshëm takimi, me përshtypjet më të paharrueshme. E jashtëzakonshme mbështetja e SHBA-ve dhe Presidentit Trump, për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Por tani edhe dhjetë ditë na ndajnë, 10 ditë për t’u ndarë njëherë e mirë me republikën e politikanëve, me republikën e mashtrimeve, me republikën e korrupsionit, me republikën e drogës dhe kriminelëve, dhe për t’i hapur derën republikës së qytetarëve, republikës së ekonomisë së fortë, republikës të së nesërmes së sigurtë për çdo shqiptar e për çdo shqiptare. Kjo është ajo që presim të gjithë, kjo është ajo që po punojmë përditë natë e ditë. Kjo është ajo që pret bota nga ne, kjo është ajo që presin aleatët tanë nga ne. Ndaj të mos harxhojmë asnjë minutë, le të harxhojmë këto dhjetë ditë drejt republikës së qytetarëve, republikës së re, ekonomisë së fortë, të nesërmes së sigurtë për çdo shqiptar e çdo shqiptare. Faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme dhe madhështore. Le të vazhdojmë punën natë e ditë, fitorja e madhe e qytetarëve po na pret më 25 qershor, tha lideri i opozitës.

Takimi

Basha doli para njerëzve të mbledhur aty rreth orës 13:00. Në fakt nga të pranishmit ishte improvizuar një podium, por ai preferoi të qëndronte mes tyre. Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se vizita ishte një mbështetje për Shqipërinë dhe shqiptarët në radhë të parë. Basha nga ana tjetër nuk harroi të vinte theksin dhe tek fakti, se takimi u zhvillua gjatë kohës kur Shtëpia e Bardhë mbante javën për punësimin, ekonominë dhe inovacionin. “Jeni nga Tirana, nga Fushë-Kruja, nga e gjithë zona përreth apo jo? Ju falënderoj për këtë pritje të jashtëzakonshme, me flamujt tanë që valëviten krah për krah flamujve të aleatit tonë të madh strategjik, SHBA-ve nga të cilat po kthehem pas një takimi të jashtëzakonshëm me Presidentin e 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në një vizitë të shkurtër gjatë një jave domethënëse. Javës së Shtëpisë së Bardhë dhe Presidentit Trump kushtuar një prioriteti madhor, kushtuar SHBA dhe prioritetit numër një për ne. Punësimit, stazheve, trajnimit të ekonomisë dhe në veçanti trajnimit të studentëve me qëllim krijimin e vendeve të punës”, tha lideri i opozitës.

Pritja

Ardhja e liderit të opozitës nga SHBA me Lufthansën ishte parashikur për në 12:45, por qindra të rinj e të reja kishin mbërritur shumë më përpara në Aeroportin “Nënë Tereza!”. Të organizuar spontanisht, ata ishin nisur nga Tirana, Kruja, Durrësi dhe Kavaja, për ta pritur kreun e PD pas kësaj vizite historike. Natyrisht, pritja nga ana e Presidentit të SHBA-ve dhjetë ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme do të thotë shumë. Sheshi përpara aeroportit ishte mbushur me flamujt kombëtarë, atë të Shteteve të Bashkuara dhe flamujt blu të Partisë Demokratike. Sheshi përpara aeroportit, s’kish pasur aq shumë njerëz që kur nuk mbahej mend. Demokratët kishin të drejtë të gëzonin. Përkrahja e mikut të madh e drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, mbart një mesazh shumë të fuqishëm. Amerika në vetë filozofinë e saj nuk përkrah humbësit, por jo vetëm kaq. Amerika nuk përkrah korrupsionin, Amerika nuk përkrah kapjen e sistemin dhe kriminalizimin e tij, Amerika nuk përkrah narkotrafikun, pra Amerika dhe Presidenti Trump s’ka se si të përkrahë të gjitha ato që kanë ndodhur në këto katër vite që “timonin” e qeverisjes e ka pasur Edi Rama.

Takimi i Bashës me Trump, tërbon sejmenët e Ramës në media

Në fakt është e pazakontë që një president i Amerikës të takojë një lider të opozitës vetëm gjashtë muaj, pasi ka marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Dhe jo vetëm kaq. Po aq i pazakontë është dhe fakti që ky takim zhvillohet vetëm dhjetë ditë para zgjedhjeve parlamentare. Me këtë mund të kuptohet dhe pezmatimi i mediave që përkrahin Ramën, pasi siç thotë një fjalë “minjtë e ndjejnë të parët rrezikun”. Kjo e shpjegon edhe faktin, që janë ato media që gjatë tërë këtyre ditëve janë munduar të hedhin baltë mbi vizitën e liderit të opozitës atje. Në fakt, i ka djegur shumë shpërfillja që i bëri Trump Edi Ramës në Bruksel gjatë Samitit të NATO-s, por ky është problemi i tyre. Rama kur ishte në opozitë shkoi deri aty sa shkeli dhe ligjet amerikane për një foto me ish-Presidentin Obama në San Francisko në vitin 2012. Për një takim me ish-Presidentin Obama, ai doli hapur në një intervistë për turp kundër kandidatit amerikan në “CNN”. Këto janë të vërteta që ai sado të mundohet t’i fshehë kanë ndodhur hapur dhe në sy të të gjithëve. Litari qëndron ende varur në Neë Jersey ku Gjykata Federale atje ende s’i ka mbyllur hesapet me Bilal Shehun. Janë të gjitha këto fakte, ato që kanë tërbuar sejmenët e Ramës në media, Karlo, Baze apo të tjerët në mediat e fikut të Bashkisë.

Artikulli paraprakRama do shkarkojë Metën nga President, Meta: Rama, fatkeqësi
Artikulli tjetër10 ditët e betejës finale