Leonardo Bonuçi është pa dyshim një prej mbrojtësve më të mirë në qarkullim, megjithatë Juventusi po vlerëson mundësinë për ta shitur. Ofertat për futbollistin nuk mungojnë dhe vijnë pa dyshim nga klube elitare, ndër të cilat është edhe Chelsea i Antonio Kontes dhe Manchester City i Pep Guardiolës, i cili para një viti kishte tentuar të bindte italianin për një transferim në kampionatin anglez.
Një fjalë e urtë thotë “mes dy që grinden mund të përfitojë një i tretë” dhe pikërisht ky mund të jetë Reali i Madridit. Vetë trajneri Zidan mundi ta admironte nga afër 30-vjeçarin në finalen e Ligës së Kampioneve dhe mendon se mund të ishte përforcimi i duhur në mbrojtje. Mbrojtësi bardhezi nuk do të ishte kundër një përvoje të re në Spanjë, por një problem mund të jetë kontrata e tij, e cila e rinovuar së fundmi flet për një largim jo më herët se më 2021.
Nëse Reali do një futbollist vështirë se mund të ndalet, as me kërkesa astronomike, por në rastin e Bonuçit pengesa nuk është ekonomike, por fizike dhe përkon me imazhin e Serxho Ramos. Sipas medias iberike “Diario Gol”, 31-vjeçari, prej 12 vitesh kolonë e “Los Blancos”, i ka kërkuar presidentit Florentino Perez që të mos e afrojë mbrojtësin italian në “Bernabeu”.
Nëse lajmi konfirmohet atëherë dyshja angleze City-Chelsea do të rifillonin “grindjen” për shërbimet e “Bonit”, siç thirret Bonuçi nga tifozët e tij.
Ndërkohë, Marco Asensio, mesfushori i Real Madridit, ka dhënë një deklaratë interesante për Lionel Messin. Sulmuesi i Spanjës mendon se ylli i Barcelonës, Lionel Messi nuk do të përshtatej në skuadrën e Real Madridit. “Jo tani”, ka deklaruar Asensio kur është pyetur nga gazetari i “Marcas” nëse Messi do të përshtatej në Real Madrid.
Madje, Asensio mendon se Lionel Messi edhe kësaj radhe do ta shikojë Cristiano Ronaldon duke ngritur lart Topin e Artë. “Ronaldo do të fitojë përsëri Topin e Artë”, tha ai. Ish-anëtari i Mallorcas mendon se ekipi aktual i Real Madridit është fantastik. “Skuadra është shumë e mirë kështu siç është. Nëse qëndrojmë kështu siç jemi, do të jemi të përsosur”, ka theksuar ai.