Tonet mes Ramës dhe Metës janë ashpërsuar gjatë tri ditëve të fundit, ndërsa dje është folur edhe për armatosje të popullit në rast se bandat nuk ndalen. Deklarata është bërë nga Meta pas vizitës tek një drejtues lokal i LSI, i cili u rrah në mënyrë barbare nga banditë të lidhur me Ramën sipas Metës, por që policia nuk i ka arrestuar.
Lufta mes Ramës dhe Metës është lufta për “1 milion shuplakat” që përmendej katër vite më parë nga Rama dhe që nxorën në opozitë Partinë Demokratike. Tani ka ardhur koha që këto 1 milion shuplaka të ndahen mes Ramës dhe Metës. Këtu është edhe konflikti që nga dita në ditë dhe nga ora në orë do të jetë akoma dhe më i ashpër. Kush do të marrë pjesën më të madhe të këtyre votave. Kemi të bëjmë me një luftë për kontrollin e së majtës. Lufta mund të degradojë në incidente të reja edhe më të rënda gjatë javës së fundit të fushatës elektorale, e cila do të jetë edhe vendimtarja përpara se qytetarët të shkojnë drejt kutive të votimit.
Beteja për të majtën ka vite që zhvillohet dhe sa herë ka zgjedhje ajo merr trajta të forta. Dy partitë kryesore të së majtës janë rreshtuar kësaj here ballë për ballë me njëra-tjetrën dhe është një luftë për ekzistencë. Rama kërkon të marrë shumicën e votave të së majtës, ndërsa barrikada duket se është Meta, i cili ka flakur tutje kostumin e Presidentit të Zgjedhur të Republikës dhe ka veshur kostumin e komandantit të forcës së tij politike. Rama duket se ka gabuar kur kishte menduar se duke e dërguar Metën në Presidencë do ta spostonte edhe nga fushata elektorale. Meta ka bërë zgjedhjen e vet duke i mbajtur të dyja, edhe postin e Presidentit të Zgjedhur edhe atë të komandantit të LSI.
Deri tani kjo betejë po zhvillohet me të gjitha mënyrat ku në treg janë edhe presionet edhe joshjet me pushtet e para për votuesit, ndërsa në skenë kanë mbërritur edhe kërcënimet dhe thirrjet për armatosje. Kjo klimë lufte pritet që të ketë pasoja në procesin zgjedhor. Rama dy ditë më parë i bëri thirrje policisë të mbledhë votat për PS, një thirrje që jo vetëm është kriminale dhe në shkelje të hapur të të gjitha ligjeve dhe rregullave të një fushate elektorale, por në të njëjtën kohë është një dëshmi e një paniku që e ka kapur Ramën nga 25 qershori. Pasiguria për votën e ka bërë atë që të kërkojë ndihmën e policisë për ta përdorur si një bandë në zgjedhje, gjë që ka sjellë një reagim të ashpër jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij.
Replikat
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratave të forta të ish-kryetarit të LSI, Ilir Meta për armatosjen e popullit.
“Më vjen keq, më vjen zor. Ndihem i sëkëlldisur kur shikoj gjëra që s’do të donim t’i shihnim. Kur dëgjoj gjëra që shqiptarët s’duhet t’i dëgjonin, çirrje, ulërima, kërcënime. Por Shqipëria që duam s’është Shqipëria e ulërimave, kërcënimeve, s’është partia e partive të tepsisë së pushtetit. Duam shtet për çdo shqiptar”, tha Rama nga Lezha.
Po dje, Meta shkoi në Lezhë ku ka takuar Gjovalin Gjinin, kreun e LSI-së në fshatin Raboshtë.
“Populli do të armatoset nëse policia s’i lidh zagarët”, ka qenë deklarata e fortë e Metës, duke iu referuar të fortëve që kanë dhunuar mbështetësit e LSI-së.
Deklarata e Metës
“Do ta them unë, do ta armatos unë popullin nëse policia nuk i lidh këta zagarë”, deklaroi Presidenti i Zgjedhur Meta gjatë një takimi me kryeplakun e fshatit Raboshtë të Lezhës, të dhunuar dje së bashku me një përfaqësues tjetër.
“Mos e detyroni popullin të mblidhet para komisariatit. Nëse populli mblidhet, i tregon vendin drejtorit të policisë. Drejtori i policisë është këtu për të mbrojtur qytetarët”, vazhdoi zoti Meta.
Tri persona të maskuar dhe të armatosur dhunuan kryeplakun e fshatit Rraboshtë, Gjovalin Gjini, mbështetës i LSI.
Ky është incidenti i tretë i ndodhur brenda pak ditësh me përfaqësues të LSI-së. Dy ditë më parë u dhunua një përfaqësues i LSI-së në Berat dhe para tre ditësh u dhunua një 18-vjeçar në Fier.
Arben SHAHINI