Rritet çmimi i naftës, nga taksa e rilicencimit, arsimit dhe shtrenjtimi në bursa

Çmimi i naftës ka shënuar një rritje të fortë së fundmi, me rreth 5 lekë për litër në pjesën më të madhe të pikave të tregtimit, por pritet që shpejt të reflektojë i gjithë zinxhiri i pakicës. Kjo është rritja e parë, pas muajve të tërë që karburantet kishin njohur vetëm ulje.
Në pikat e tregtimit të Kastratit, operatori më i madh në vend, një litër naftë tregtohet me 157 lekë për litër, nga 152 lekë që shitej më parë. Edhe Europetrol Durrës Albania (Eida) e ka shtrenjtuar naftën në 156 lekë për litër. Gega Oil, një tjetër operator i madh e tregton karburantin me 154 lekë për litër, nga 149 lekë që e kishte më parë.
Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohuan për Monitor.al se, arsyeja kryesore e rritjes së çmimit të naftës lidhet me shtimin e taksave mbi kompanitë e tregtimit të karburanteve. Efektin kryesor e ka dhënë taksa e rilicencimit të pikave të tregtimit me pakicë, që me një vendim qeverie në dhjetor të vitit 2015 u shumëfishua, duke arritur në 5 milionë lekë për pikat e Tiranës dhe 2 milionë lekë për ato të rretheve. Kjo taksë ndonëse u vu me vendim qeverie mblidhet nga Bashkitë e rretheve përkatëse dhe ka filluar aktualisht të paguhet (përveç taksës ka dhe shpenzime shtesë si TVSH, apo dokumentet që duhen bërë nga fillimi për çdo pikë). Operatorët kishin llogaritur më parë se, efekti i saj do të ishte 5 lekë për litër. (Lexo: “Taksë” e fshehur 5-10 lekë/litër për naftën: Qeveria rrit me 170 herë tarifën për licencën e karburanteve).
Një tjetër taksë e shtuar për pikat e Tiranës është ajo e arsimit, që për kompanitë VIP është 37 mijë lekë në vit. Por, duke pasur parasysh që kjo taksë po faturohet për çdo NIPT sekondar, (Lexo: Skandali: Bizneset do paguajnë disa herë taksën e arsimit, u vjen për çdo NIPT sekondar) kompanitë e karburanteve po e paguajnë shumëfish atë (vetëm në një pikë tregtimi ata kanë disa NIPT-e për gazin, naftën apo lavazhin), çka nënkupton një kosto tjetër të shtuar, që reflektohet në çmim.
Një prej kompanive më të mëdha të karburantit i është faturuar taksa e arsimit në rreth 9 milionë lekë (rreth 65 mijë euro).
Arsyeja e tretë lidhet me faktorët ndërkombëtarë. Në bursa, një fuçi naftë është rritur në rreth 46 dollarë, nga nën 30 dollarë për fuçi që zbriti në janar 2016.

Si rritet artificialisht xhiro e kompanive

Viti 2014 shënoi një shpërthim të kompanive të tregtimit të naftës në vend. Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha përfshihen 27 të tilla, që kanë realizuar një qarkullim vjetor prej 238 miliardë lekë (rreth 1.7 miliardë euro), me një rritje prej 33% me bazë vjetore, sipas të dhënave të dorëzuara te tatimet.
Këto kompani realizuan gati 25% të qarkullimit total të 200 VIP-ve, të ndihmuara dhe nga zgjerimi i prodhimit vendas, por dhe faktit që nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive të këtij segmenti  (për arsye të numërimit të dyfishtë të prodhimit të brendshëm që shkon për tregtim në retail si te qarkullimi i ndërmarrjeve prodhuese ashtu edhe tek ato tregtuese dhe shitblerjes disa herë të saj).
Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. 2014-a ka shënuar një numër rekord kompanish (një pjesë të krijuara në tetor 2013), që janë rritur ndjeshëm. Pas daljes nga tregu të Taçi Oil në mesin e 2013-ës dhe më pas të IT Oil, operatorë të rinj, të krijuar në fund të 2013-ës, kanë rritur me shpejtësi aktivitetin. Të tjerë janë në vështirësi dhe kanë “braktisur” kompaninë, duke lënë me gisht në gojë kreditorët.

Artikulli paraprakZidan: Bejl është si Ronaldo, Sitin e mundim edhe pa yjet
Artikulli tjetërMilani s’ka burra!