Kandidatja e PS për deputete në Qarkun e Korçës, Elisa Spiropali, ndan para tek familjet e varfëra në Kolonjë në këmbim të votës. Ish-drejtorja e Doganave që mbulon rrethin e Kolonjës si kandidate e PS ka angazhuar burrin e saj të ndajë lekë tek familjet e varfëra, ndërsa ai ndihmohet edhe nga specialistët e Krimit Ekonomik në Policinë e Korçës.
Denoncimi është bërë nga një qytetar nga Kolonja, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Qytetari i ka dërguar Berishës edhe një foto të dy makinave të burrit të Elisës dhe të inspektorëve të policisë, që shkojnë në zonat e thella me makina dhe shpërndajnë para në këmbim të votës për Partinë Socialiste.
“Qytetari dixhital denoncon Spiropalin, bashkëshorti i saj së bashku me çunat e krimit ndajnë para për votë në Kolonjë!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar foton dhe mesazhin e qytetarit nga Kolonja.
“Mirëdita zoti Berisha, shpresoj të ndihmoni kolonjarët me këtë postim. Burri i Elisa Spiropalit, hajdutes së doganave, po shpërndan lekë në Kolonjë, kryesisht në fshatra. Në këtë operacion të paligjshëm, ai ndihmohet nga specialistë të Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit në Korçë. Makina me targën 313 është e këtyre, ndërsa fuoristrada përpara përdoret nga burri i Elisës. Respekte. Nëse keni mundësi, anonim ju lutem”, shkruan qytetari.
Spiropali është akuzuar nga opozita dhe mediat për kontrabandë dhe korrupsion gjatë kohës që ishte në krye të Doganave shqiptare. Një grup doganierësh, që njihej si “grupi i drejtoreshës” i kishin hapur rrugë kontrabandës, duke përfituar shuma të mëdha në mënyrë korruptive. Kështu, pas shumë vitesh ndërprerje, i ishte hapur rruga zhdoganimeve fiktive të mallrave që vinin nga Kina, ku mendohet se për një maune abuzimi shkonte rreth 30-40 mijë euro. Deklarimi i ndryshëm nga ai i mallit që hyn në Shqipëri, i hapte rrugë një korrupsioni të pastër, ku ishin të përfshirë një zinxhir funksionarësh publikë, nga doganierët e thjeshtë, tek drejtorët e turnit, shefat e degëve e deri në zyrat qendrore në Tiranë.
Bashkë me mallrat kineze, nuk mungonte edhe futja e cigareve kontrabandë dhe mjaft shkelje të tjera. Grupi i përfshirë në këto afera ishte aq i mbrojtur sa në një moment të caktuar, kjo masakër në dogana bëhej thuajse hapur fare dhe me arrogancë. Pas shpërthimit të këtij skandali, Rama kërkoi menjëherë largimin e Elisa Spiropalit dhe komandoi përkohësisht në vend të saj, zëvendësministren e Financave, Irena Beqiraj.
Caktimi i Irena Beqirajt u bë thjesht për të shuar zhurmën që kishte shpërthyer skandali i kontrabandës, pasi në fakt Kryeministri ia kaloi gjithë pushtetin në dogana Zamir Shtyllës. Ky i fundit, hetues gjatë komunizmit dhe drejtor i hetimit në Prokurinë e Përgjithshme gjatë kohës së Ina Ramës, nis fshesën në dogana, por kontrabandën dhe korrupsionin nuk e ndërpreu.
Pas largimit të Spiropalit nga drejtimi i doganave, kishte ardhur një informacion nga Greqia në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave mbi abuzimin e bërë në doganat shqiptare. Kontrabanda kishte ndodhur në kohën kur drejtonte Elisa Spiropali. Informacioni i shoqëruar dhe me dokumentacionin përkatës vërteton abuzimin e bërë në dogana në vlera prej mijëra e miliona eurosh.
R.POLISI