Mano: I vetmi që merr subvencione në Korçë është nënkryetari i Bashkisë

Kryetari i PD, Dega Korçë, Andrea Mano ironizoi dje vizitën e Ramës pak ditë më parë në Korçë, i cili foli para korçarëve për suksese e arritje imagjinare në një kohë kur qytetarët po vuajnë papunësinë dhe varfërinë ekstreme. Mano hodhi poshtë deklaratat e Ramës në lidhje me gjoja mbështetjen dhe subvencionimet ndaj bizneseve në një kohë kur i vetmi që merr subvencione nga bashkia në mënyrë qesharake aq edhe skandaloze është vetëm nënkryetari i bashkisë.
“Fundjavën që kaloi, Kryeministri zgjodhi Korçën për të bërë mashtrimin dhe propagandën e radhës për arritjet imagjinare që vetëm ai i sheh. Në biznesin e familjes të nënkryetares të Bashkisë Korçë, biznes të cilit i ka dhënë mbi 200 milionë lekë subvencion, nga ku deklaroi se ky biznes ka 2500 të punësuar. Turp! Gënjeshtër! Mashtrim! Z. Kryeministër në qoftë se ky biznes ka 2500 punëtorë atëherë në bazë të luftës kundër informalitetit që ju e propagandoni me të madhe, ky biznes duhet të ketë 2500 punëtorë të siguruar”, tha Mano.
Kreu i PD, Korçë ftoi mediat që të interesohen dhe të thellojnë kërkimet e tyre për të kuptuar mashtrimet e qeverisë Rama ndaj qytetarëve korçarëve. “Ftoj mediat, të shkojnë në QKR apo në Drejtorinë e Tatimeve për të parë a janë të siguruar 2500 punëtorë në këtë biznes? Gënjeshtra, mashtrime, propagandë! Po si mund të vish në Korçë dhe të gënjesh në këtë formë? Si mund të fyesh inteligjencën e korçarëve deri në këtë masë? Pse nuk shkove të shikosh qindra biznese që po falimentojnë ose mezi po e mbajnë frymën gjallë nga taksat dhe tatimet që i ka vendosur qeveria juaj? Pse nuk shkove të vizitosh bizneset dhe fermerët dhe t’ju thuash se çfarë ka bërë kjo qeveri për pemtimet që i ka bërë biznesit dhe fermerëve. Korça nuk i pranon gënjeshtrat e tua z. Rama. Ato as nuk hahen, as nuk pihen dhe as nuk durohen më”, shprehet Mano në deklaratën e tij për mediat.

Artikulli paraprakDebatet për koncesionin e Aeroportit, përse qeveria refuzoi të negocionte kostot
Artikulli tjetërKompozitori Dizdari: Jam kërcënuar nga segmentë të mafias së pronave, i njoh