FIFA nis hetimin ndaj Juventusit

Transferimi i Pogba tek Man.United, nis hetimi për Juventusin. Një procedim disiplinor është hapur nga ana e FIFA-s në drejtim të Juventusit dhe menaxherit të futbollistëve Mino Raiola, për transferimin e Paul Pogba tek Manchester United, në verën e kaluar. Raiola është përfshirë në hetim pasi mesfushori francez është nën kujdesin e tij. Burime brenda organit më të lartë të futbollit e kanë konfirmuar lajmin, por duke mos dhënë shumë detaje dhe theksuar se hetimi është vetëm ndaj Juventusit dhe Raiola-s. “Djajtë e Kuq” nuk janë të përfshirë në këtë çështje.
Në maj, FIFA i ka kërkuar kampionëve të Italisë të depozitojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për çështjen e transferimit të Pogba në Angli. Palët janë vendosur nën hetim pas dyshimeve të ngritura se është shkelur ligji i të drejtave ekonomike në drejtim të palëve të treta. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit bardhezi nuk kanë qëndruar duarkryq, por po përgatisin të gjithë argumentet ligjore të nevojshme për t’i dhënë fund sa më shpejt çështjes. Në rast se Juventusi në fund të hetimit shpallet fajtor, ata rrezikojnë si masë ndëshkimore gjobë ose pezullim të merkatos për verën e ardhshme.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërArsenali prezanton fanellën e re