Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Ibrahim Hoxha, u arrestua mbrëmjen e të hënës për korrupsion. 57-vjeçari i kërkoi lekë një biznesmeni për ta favorizuar, në një gjyq civil për çështje pronësie. Bashkë me të, në operacionin e koduar me emrin “Berati 2”, u arrestua djali i tij, Ledion Hoxha, 25 vjeç, me detyrë Jurist në një kompani, Novruz Gajde, 48 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, ish-polic në Policinë e Beratit dhe Dritan Jazexhiu, 48 vjeç, biznesmen, banues në Tiranë.
Prokuroria bëri të ditur se nga hetimi i Krimeve të Rënda, i nisur 6 muaj më parë, në koordinim në terren me Policinë e Tiranës, u zbulua se biznesmeni Jazexhiu ka nisur kontaktet me gjyqtarin nëpërmjet Novruz Gajdës, i cili ishte i njohur i të dyve.
Mesditën e të hënës, Gajde komunikon me gjyqtarin, me të cilin flet për një “gjashtëshe”, duke e lidhur këtë me procesin civil në të cilin ishte palë shtetasi Jazexhiu, i cili do të shpallej mëngjesin e djeshëm në orën 9:30 në Gjykatën e Tiranës. Pas këtij komunikimi, ai takohet me biznesmenin Dritan Jazexhiu, në lokalin e këtij të fundit dhe shkëmbejnë një sasi parash.
Pasdite, pas një komunikimi me gjyqtarin, Gajde takon në një automjet djalin e gjyqtarit, Ledion Hoxhën. Pasi janë ndarë, Hoxha ndalohet nga policia që po e mbante nën vëzhgim dhe i gjen në makinë 600 mijë lekë të reja.
Më pas u arrestua gjyqtari Ibrahim Hoxha, i kapur në një lokal pranë Prokurorisë së Tiranës, Novruz Gajde që po largohej, pasi i dha paratë djalit të gjyqtarit dhe Dritan Jazexhiu. Të arrestuarit i kanë mohuar akuzat gjatë marrjes në pyetje, gjyqtari Hoxha ka thënë që shuma prej 600 mijë lekësh ishte për shitjen e automjetit të tij tek biznesmeni.
Vetë gjyqtari nuk ka shkuar për të marrë paratë, por në vendin e tij ka shkuar i biri, 25- vjeçari Ledion Hoxha. Sipas komunikimeve që dalin nga përgjimi, mësohet se palët kanë rënë dakord që 6 milionë lekë t’i merrte një natë para shpalljes së vendimit dhe 2 milionë të tjera, pasi të shpallej vendimi për një pronë trashëgimie, që përfshinte një dyqan dhe një banesë në Tiranë.
Por megjithë marrëveshjen, sipas burimeve të policisë, palët duket se kanë patur mosbesim tek njëra-tjetra.
Gjatë dorëzimit të parave, edhe djali i gjyqtarit, edhe sekseri ishin të shoqëruar nga 2 shokë. Gjyqtari u ndalua pranë zyrës së tij, ku do të shkruante vendimin që do të shpallte ditën e djeshme. Ai është sinjalizuar me telefon se, “porosia” u krye dhe gjithçka ishte në rregull, por në ato momente ai është ndaluar nga policia.
Gjyqtari Ibrahim Hoxha mësohet se kishte edhe një lidhje tjetër me biznesmenin Dritan Jazexhiun, personi që do të përfitonte nga vendimi gjyqësor, që do të shpallej dje në orën 09:30.
Sipas policisë, Jezenxhiu ishte arrestuar pak muaj më parë, për vjedhje të energjisë elektrike.
Prokuroria mësohet se ka kërkuar dënimin e tij me 2 vjet burg, por gjyqtari i këtij procesi ende në vijim, i ka lënë biznesmenit masën detyrim paraqitje. I arrestuari tjetër, që bënte rolin e sekserit, Novruz Gajde, ka një njohje të vjetër me gjyqtarin nga Berati, pasi ka punuar më herët, oficer në këtë rreth.
Biznesmeni 48-vjeçar Dritan Jazexhiu, personi që do t’i jepte gjykatësit Ibrahim Hoxha 6 milionë lekë për ta favorizuar në një proces gjyqësor për një çështje pronësie, është i njohur për policinë. Më 11 shtator të vitit 2014, ai mbeti i plagosur në një atentat në rrugën “5 Maji”, në Tiranë. Në drejtim të biznesmenit u qëllua me breshëri automatike nga një automjet në lëvizje. Ai gjendej pranë dyqanit të tij.
Policia gjeti 16 gëzhoja në vendin e ngjarjes. Sipas policisë, plagosja ndodhi për shkak të një konflikti për pronësinë me disa familjarë të tij. Ndaj tij tashmë rendon edhe akuza e korrupsionit aktiv.
Zbardhet përgjimi: Ti e di, ky (gjyqtari) i ka qejf xhixhat
Në hetimet e Prokurorisë ndaj gjyqtarit Ibrahim Hoxha, janë regjistruar disa biseda ambientale dhe telefonike, por edhe vëzhgime të tjera. Nëpërmjet tyre është konfirmuar edhe fakti se gjyqtari do të merrte shumën e 600 mijë lekëve të reja, përpara dhënies së vendimit. Ndërkaq pas dhënies së vendimit që pritej të jepej të marten e djeshme, Hoxha do të merrte edhe 200 mijë lekë të tjera.
Në një bisedë telefonike të regjistruar, Dritan Jazexhiu dhe Novrus Gajda flisnin për faktin se paratë duheshin përpara vendimit dhe një pjesë pas tij.
Novrus Gajda: Ky i do lekët përpara vendimit. Do një gjashtëshe. Pas vendimit do një dyshe. Ti e di ky i ka qejf xhixhat.
Në një bisedë tjetër:
Jazexhiu: A ia dhe paratë gjyqtarit?
Gajda: Ja do t’ia jap djalit.
Por kjo situatë është ndërprerë, pasi vetë Dritan Jazexhiu, ka mbërritur në vendin ku po jepeshin paratë, dhe ka qenë i pranishëm. Burimet e policisë thonë se vetë Jazexhiu, nuk ka pasur besim tek Gajda që do t’i jepeshin djalit të gjyqtarit paratë. Nga ana tjetër, vetë djali i gjyqtarit po ashtu nuk ka pasur besim se sekseri Gajda do t’ia jepte paratë aq sa ishin kërkuar. Në këtë kohë kanë ndërhyrë edhe efektivët e policisë, duke bërë arrestimin e të tre personave të dyshuar dhe më pas edhe të gjyqtarit Hoxha.
Pollo denoncoi gjykatësin Hoxha që në vitin 2010
Deputeti i PD, Genc Pollo ka denoncuar gjykatësin Ibrahim Hoxha që në vitin 2010. Në atë periudhë pati edhe një debat publik mes tij dhe Presidentit Topi për të njëjtën arsye, kur Presidenti Bamir Topi i kërkoi të dorëhiqej si ministër ose ta padiste në Prokurori.
“Nga përvoja ime direkte si kryetar i Komisionit Qeveritar për Tokat (KQT mbikëqyr procesin e verifikimit të titujve të pronësisë në tokën bujqësore), po sjell një rast tejet modest, por gjithsesi domethënës, për çështjen në fjalë. Nga kontrolli periodik rezultoi se në një rreth të vendit, gjyqtari I. H. (Ibrahim Hoxha) në dy raste identike të konfliktit midis palëve pronar shtet e pronar privat, herë vendosi në favor të njërit e herë në favor të tjetrit.
Në vijim, në maj 2010 i drejtova një letër Presidentit të Republikës (dhe për dijeni edhe ministrit të Drejtësisë) me shqetësimin për këtë abuzim të dukshëm dhe me kërkesën që KLD-ja t’i hetonte këto raste. Në mbledhjen vijuese të KQT-së, disa muaj më vonë, ndërsa flisja për problemet me Gjyqësorin dhe në veçanti për këtë rast, ministri i Drejtësisë më thotë: “Qenke lodhur kot, se këtë gjykatës e kanë promovuar, e kanë emëruar në Gjykatën e Apelit Tiranë”, duke treguar me kokë nga fotografia e varur në murin ballor të sallës së mbledhjes”, shkruante Pollo në një koment publikuar te “Panorama” në vitin 2012.
KLD pezullon nga detyra gjyqtarin Ibrahim Hoxha
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka pezulluar nga detyra, gjyqtarin Ibrahim Hoxha si dhe ka autorizuar caktimin e masës së sigurisë për të. Vendimi u mor sot në mbledhjen e KLD, duke miratuar edhe kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm.
“Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në respekt të plotë të Kushtetutës së Republikës dhe të Ligjit Nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, zhvilloi sot, datë 03.05.2016, një mbledhje të jashtëzakonshme, ku vendosi të miratojë kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm Nr.1458/2 Prot., datë 03.05.2016 për dhënie autorizimi për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë I.H. si dhe pezullimin nga detyra, derisa çështja penale ndaj tij të përfundojë me vendim gjyqësor i formës së prerë”, thuhet në njoftimin e KLD.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i kërkoi dje Këshillit të Lartë të Drejtësisë të shkarkojë gjyqtarin Ibrahim Hoxha i arrestuar mbrëmjen e 2 majit 2016 së bashku me djalin e tij për akuzën e korrupsionit. Duke përshëndetur arrestimin e mbrëmshëm, Manjani paralajmëroi arrestime të tjera në fjalën e mbajtur dje në analizën vjetore të Gjykatës Administrative të Apelit.