Shpërthen Luis Figo

Ish-ylli i Portugalisë, Luis Figo beson se Real Madridi do të jetë në gjendje të përballojë largimin e Cristiano Ronaldos. Ish-futbollisti i Real Madridit, Barcelonës dhe Interit ka këmbëngulur se Ronaldo nuk është i pazëvendësueshëm. “Unë mendoj se askush nuk është i pazëvendësueshëm, jo vetëm Cristiano Ronaldo”, ka deklaruar Figo për “Goal.com”. “Klubet nuk mund të varen nga askush. Historia e këtyre klubeve është mbi të gjithë, madje edhe presidentin apo kushdo qoftë”, ka theksuar ai.
Megjithatë, Figo nuk beson se Ronaldo do të largohet nga Real Madridi gjatë kësaj vere, pavarësisht se ditëve të fundit është çuar shumë pluhur rreth të ardhmes së portugezit. “Duhet të ndodhin shumë gjëra që ai të largohet. Është një vendim personal dhe nëse një person me të vërtetë dëshiron që diçka të ndodhë atëherë do të përfundojë, por e shoh atë si të pamundur”, përfundoi Figo.
Ndërkohë mediat sportive shkruajnë se, Cristiano Ronaldo mund të transferohet në Paris Saint-Germain. Sipas të përditshmes sportive madrilene “Marca”, Cristiano Ronaldo do të shqyrtojë ofertën e Paris Saint-Germain. Thuhet se portugezi do të takohet me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, pas përfundimit të Kupës së Konfederatave.
Ronaldo do të diskutojë me Perezin mbi mundësin e transferimit te gjiganti francez. Klubi nga Parisi është i gatshëm të shpenzojë 200 milionë euro për yllin e Portugalisë, por thuhet se Perez do të bëjë çmos që ta ndalë largimin e Ronaldos. Ronaldo ka përjashtuar mundësinë e largimit nga Spanja pas akuzave se i është shmangur taksave, në vlerë prej 14.7 milionë euro. Mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Ronaldos pas Kupës së Konfederatave, e cila përfundon më 2 korrik.
Nga ana tjetër Leonardo Bonucci është në planet e Real Madridit. Juventusi nuk do ta ketë aspak të lehtë ta mbajë në skuadër qendërmbrojtësin italian, Leonardo Bonucci. Pas skuadrës së Chelseas, e cila ka ofruar 55 milionë për italianin, Bonucci po kërkohet edhe nga Real Madrid, shkruan “Diario Gol”. Sipas këtij mediumi Bonucci pëlqehet shumë nga trajneri i Los Blancos, Zidane. Thuhet se Zidane nuk do të transferojë mbrojtës tjetër nëse dështon ta marrë Bonuccin. Francezi pritet që t’ua japë rastin edhe lojtarëve të rinj të Real Madridit.
Zinedine Zidane, trajneri i Real Madridit, e ka gjetur pasardhësin e mbrojtësit portugez, Pepe, i cili në fund të këtij muaji do të largohet nga skuadra. Fjala është për mbrojtësin e ri spanjolli, Jesus Vallejo, shkruan e përditshmja sportive madrilene, “AS”. Vallejo është nën kontratë me Real Madridin deri në vitin 2021, por dy vitet e fundit i ka kaluar në formë huazimi te Zaragoza e Eintracht Frankfurt. Kurse, zyrtarizimi i 20-vjeçarit te Los Blancos do të bëhet pas përfundimit të Kampionatit evropian U-21 më 30 qershor.

Artikulli paraprakAndi Lila tek Panathinaikos, Kaçe pëlqehet nga Panionios
Artikulli tjetërMoise Kin dhe kontrata me Juventus