Partia Demokratike përmbylli dje fushatën elektorale në qytetin e Durrësit. Basha kërkoi votën e banorëve të qytetit bregdetar për një ekonomi më të sigurt dhe të ardhura më të shumta për familjet e tyre. “Ditën e dielë amfiteatri i përplasjes, zgjedhjeve dhe përballjes do të jetë mes dy mundësive, mundësisë së vetme që krijoi dhe na la trashëgim qeverisja e korruptuar, inkriminuar dhe dështuar e Edi Ramës ose votën për Republikën e re dhe të nesërmen e sigurt. Miliarda lekë u hodhën në betonin e Durrësit, qyteti që ka një orë ujë. Këto janë prioritetet e gabuara të Edi Ramës që rriti taksat, çmimin e naftës dhe energjisë. Pas katër vitesh, vjen këto katër javët e fundit sikur nuk ishte ai Kryeministri. Kur e hapim frigoriferin gjithmonë në frigorifer është Edi Rama, se në frigorifer gjithmonë është qeveria. Kur figoriferi është bosh, është zbrazur, është koha për të votuar për ikjen e qeverisë. Frigoriferët e shqiptarëve janë bosh, tavolinat janë bosh, xhepat e shqiptarëve janë bosh, koha për Edi Ramën ka mbaruar, ndëshkojeni me votë më 25 qershor. Asgjë nuk e fsheh dot dështimin e tij. Në këto zgjedhje vetëm një parti ka planin ekonomik për ekonominë e fortë dhe të nesërmen e sigurtë. Vetëm një koalicion mund ta bëjë këtë, PD, numri 6, Republika e re. Nuk mund ta ndalim hemorragjinë e Durrësit dhe Shqipërisë pa ndërtuar një ekonomi të fortë. Dhe kjo nuk mund të bëhet me taksat më të larta në Ballkan, çmimet më të larta, TVSH më të lartë. Është ora të marrim përgjegjësi të gjithë së bashku, demokratë dhe opozitarë të bashkuar po se po, por edhe qytetarë të pavendosur dhe socialistë”, u shpreh Basha. Basha votën e durrsakëve e kërkoi edhe për më shumë rend dhe siguri. Më 25 qershor, tha ai, ky qytet do të çlirohet nga bandat që e kanë kthyer Durrësin në çifligun e tyre. “Të ardhurat kurrë më nuk do të destinohen për betonin e Gjushit, koncesionet dhe tenderat e oligarkëve të korruptuar dhe as privatizimet në duart e bandave që e konsideruan dhe e kthyen Durrësin në çifligun e tyre në këto katër vite. Më 25 qershor Durrësi do të çlirohet nga bandat, do të kthejmë rendin dhe sigurinë dhe do t’i shtypim me forcën e plotë të ligjit. Askush nuk do t’i bëjë më karshillëk qytetarëve të Durrësit, asnjë hijerëndë, asnjë fytyrë e vrerosur e krimit nuk do të trembë më nënat dhe baballarët dhe kërcënojë sigurinë e fëmijëve durrsakë”, tha Basha.
Tregtari Krujë: Me planin Basha kursejmë 300 mijë lekë në muaj
Lulzim Basha bashkëbisedoi dje me qytetarë të Krujës dhe Fushë-Krujës, për hallet, taksat e larta dhe tarifat që rëndojnë jetën e tyre. Ilir Ndreu ka një market të vogël në Krujë, me të cilin mban familjen. Ai i ka bërë mirë llogaritë.
Ai tregon se, me planin e Bashës, me uljen e çmimit të energjisë dhe reduktimin e TVSH-së, do të kursejë çdo muaj 300 mijë lekë.
Lulzim Basha e siguroi se ky është synimi i planit të tij ekonomik, që ai të kursejë, të zgjerojë biznesin dhe të marrë dikë në punë. Plani im, tha Basha, do të ndezë motorët e ekonomisë. Kreu i opozitës shpjegoi se taksat e ultëta jo vetëm do të forcojnë ekonominë e qytetarëve, por sjellin edhe më shumë të ardhura në shtet për shkak të rritjes së prodhimit dhe të zhdukjes së informalitetit.
Basha ndalet tek furrxhiu më i vjetër i Krujës, tek Kujtim Hoxha, një biznes që ai e ka trashëguar nga të parët. Kujtimi thotë se kërkon ndryshim, pasi aktualisht mezi po paguan paratë për miellin, ngaqë nuk ka punë.
Lulzim Basha i ka sqaruar banorët e Krujës dhe Fushë-Krujës se të dielën votohet për ekonominë. Basha u tha se, me planin e tij ekonomik, njerëzit do të kenë më shumë para në xhepat e tyre, do të ulen taksat, do të rritet konsumi, do të rritet prodhimi dhe gjithë zinxhiri do të vihet në lëvizje.
Po ashtu, Basha i siguroi qytetarët se paratë e shqiptarëve nuk do të shkojnë për fasada e pllaka sipas tekave të kryeministrit, por vetëm për interesat e njerëzve, për të rritur pensionet, pagat, për t’u siguruar të sapodiplomuarve stazhe të paguara çdo vit dhe për të garantuar shkolla të modelit europian që kujdesen për fëmijët deri në orën 16.00 dhe ofrojnë dhe drekë të mbuluar nga shteti.