Bombë nga Spanja

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është duke u akuzuar për evazion fiskal, që pretendohet se fshehu 14.7 milionë euro, por sipas një dokumenti të publikuar nga COPE, duke u bazuar në stafin mbrojtës të Ronaldos, portugezi ka paguar 265.448,80 euro më shumë taksa. Tani gjithçka duket si mjegull, pasi kjo e bën të pafajshëm portugezin dhe kjo pritet të marrë fund pas përfundimit të hetimeve.
Gjatë ditës së djeshme u raportua se Cristiano Ronaldo do të dëgjojë këshillën e stafit juridik të Real Madridit që i rekomanduan Ronaldos të paguajë 14.7 milionë euro që pretendohet se portugezi i ka borxh ndaj autoriteteve.
Ai ka pranuar të paguajë gjithçka përpara se të dalë para trupës gjyqësore më 31 korrik, kur edhe duhet të dëshmojë ndaj akuzave për evazion fiskal. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Cristianos që potencoi: “Kjo nuk do të thotë që Ronaldo është fajtor apo pranon fajin, por kjo thjesht tregon dëshirën e tij për të bashkëpunuar dhe për të zgjidhur çështjen”.
Por pavarësisht pagesës prej 14.7 milionë eurove, kjo nuk do të thotë se Ronaldo nuk do të dënohet, gjithnjë nëse shpallet fajtor. Kjo pagesë vetëm mund t’ia ulë dënimin, sigurisht nëse portugezi shpallet fajtor.
Julio Senn, avokati i cili drejton procesin e inspektimit tatimor të Cristiano Ronaldos, ka folur për situatën e futbollistit portugez. Senn thotë se e respektojnë vendimin për inspektim për evazion fiskal, teksa bëri të ditur se inspektimi ka përfunduar dhe se tani duhet të presin derisa të kompletohet i tërë procesi.
Avokati foli edhe për sjelljen e Cristianos gjatë këtij procesi dhe beson se lojtari “ka bërë mirë”, si dhe e kupton se “përse Ronaldo është i mërzitur”. Përsa i përket arritjes së marrëveshjes mes lojtarit dhe autoriteteve tatimore, ku u raportua se Ronaldo do të paguajë 14,7 milionë eurot që pretendohet se fshehu, Senn tha se nuk dëshiron të hyjë në detaje, duke e quajtur këtë gjë të rregullt.
Besohet se portugezi ka pranuar të paguajë gjithçka përpara se të dalë para trupës gjyqësore më 31 korrik, kur edhe duhet të dëshmojë ndaj akuzave për evazion fiskal.

Artikulli paraprakDonnarumma, rinovimi me Milanin, mundësi konkrete
Artikulli tjetërDembele nuk do të shkojë te Barça