Demokratët kanë mbyllur dje fushatën elektorale, duke mbushur dhe një herë plot Sheshin “Dëshmorët e Kombit”. Në të njëjtin vend aty ku u zhvillua beteja 90 ditore, aty ku u organizuan dy protesta masive, dje ishte dita e festës. Të sigurt drejt fitores, me simbolet bardhë e blu të Partisë Demokratike, ata nisen të sigurt drejt kutive të votimit. Me dhjetëra mijëra qytetarët e mbledhur atje, panë dhe një herë dje atë çka kryetari Basha ka paralajmëruar për 30 ditë me radhë fitoren e Republikës së re…
Grumbullimi
Njerëzit filluan të mblidhen që herët. Ishin kryesisht qytetarë të Tiranës. Në sfondin e podiumit, të rinj e të reja të veshur bardhë e blu, mbanin në dorë numrin gjashtë, që është dhe numri i Partisë Demokratike në fletën e votimit. Kryetari i Partisë Demokratike do vinte menjëherë nga Durrësi, ku dhe atje kish mbyllur fushatën elektorale. Ashtu si një ditë më parë në Elbasan, si një orë më parë në Durrës. pjesëmarrja nuk do të zhgënjente. Në ndryshim me kryeministrin, që mbush autobuzët e tij ngado që shkon, Partia Demokratike ja kish lënë në dorë pjesëmarrjen vetëm qytetarëve të Tiranës. Dhe kryeqytetasit e mbështetën, sepse mbështetën një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët e tyre. Fjalën veç liderit demokrat do e merrnin dhe qytetarë të thjeshtë, të cilët premtuan mbështetjen për PD-në. Sepse siç tha njëri nga folësit, ata kanë arsye të besojnë, se drita në fund të tunelit janë pikërisht zgjedhjet e 25 qershorit. Në atë kuti votimi, në atë fletë ndodhet e ardhmja e tyre e fëmijëve të tyre, ndodhet hakmarrja për këto katër vite, ku provuan represionin e një pushteti që mbrojti një grusht oligarkësh, dhe shkeli të varfërin. Që la pa shkollë me mijëra studentë, që bëri të kërkonin fatin në rrugët e Evropës 300 mijë persona, të aftë për punë. Ndoshta të gjitha s’mund të thuhen në një tubim një orësh, por ama nesër është dita e ndëshkimit me votë, dhe ajo pjesëmarrje atje e tregoi se cili do të jetë rezultati që do të lexohet më datë 26.
Mesazhi
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha do e merrte fjalën e fundit në tubim. Mes pjesëmarrësve, ai mbërriti 15 minuta me vonesë, pasi mbylli fushatën në Durrës. Basha tha, se ditët kur republika e vjetër krekosej kish marrë fund. Duke kujtuar dhe një herë sakrificën e shqiptarëve, atyre që qëndruan në çadër Basha tha: “110 ditë më parë republika e vjetër krekosej mbi Shqipërinë e mjeruar, shqiptarët nuk shihnin dritë në fund të tunelit, 101 ditë më parë, demokratët u ngritën dhe nisën një marshim në të cilin sot janë bashkuar shumica e Shqipërisë. Sa herë demokratët bëjnë një hap përpara, Shqipëria bën një hap përpara. Kështu ka qenë, kur sollëm demokracinë, kur liberalizuam vizat dhe u anëtarësuam në NATO dhe kështu do të jetë edhe ditën e dielë, kur do të themelojmë Republikën e re”…. Shqiptarët në fakt s’mund të harrojnë. S’mund të harrojnë kush i anëtarësoi në NATO, s’mund të harrojnë kush ua liberalizoi vizat. Shqiptarët s’mund të harrojnë kush çau malet dhe i bashkoi nga Veriu deri në Jug. Prandaj kanë mbushur sheshet e Partisë Demokratike, sepse e dinë që ajo di ta mbajë atë që premton. Prandaj dje tiranasit kishin mbushur atë shesh në mbështetje të kreut të opozitës që udhëheq dhe listën në Tiranë. Rreth orës 20:20 minuta ata do shpërndaheshin. Vendimin kanë kohë që e kanë marrë, dhe jo vetëm ata që ishin të pranishëm në atë tubim, por dhe ata që për një arsye ose një tjetër e kishin të pamundur të vinin. Shenjat e fitores shiheshin kudo. Nesër është dita finale dhe ata do dinë të zgjedhin….
Partia Demokratike, e vetmja që ka një program në këto zgjedhje
Fushata elektorale e Partisë Denmokratike do të hapej më 27 maj. Në këto 26 ditë kryetari i PD Lulzim Basha, preferoi të bënte një fushatë të qetë, duke u përqendruar më së shumti në programin e tij ekonomik. Mund të thuhet se ka qenë fushata më interesante e zhvilluar në këto 27 vitet e fundit. Larg megallomanisë, ka takuar me qindra e mijëra njerëz në çdo cep të vendit. Në krahasim me kundërshtarin e tij, i cili tashmë duket se ka gjetur fajtorin e dështimit, Basha u mor më shumë me prezantimin e asaj çka do bëjë në katër vitet e ardhshme. Jo më kot sllogani i fushatës ishte “Ekonomi e fortë, e ardhme e sigurt”. Duket se nga të gjitha partitë garuese vetëm Partia Demokratike ka një program të mirëfilltë politik, që bazohet më shumë tek zhvillimi i ekonomisë. Ulja e taksave, ulja e çmimit të energjisë, përkrahaja e biznesit, rritja e pensioneve, arsimimi i fëmijëve sipas standardeve perëndimore, ku ndër më interesantet është shtimi i drekës në shkollat tona, janë ndër zotimet më interesante të Bashës. Në kontrast me ato që prezanton Basha, kemi një fushatë gri në krahun tjetër politik. Edi Rama ka preferuar që të mbajë takime me mbështësit, e tij pa guxuar të takojë askënd. Në një bilanc të rënduar dështimesh si ka mbetur më asgjë tjetër, vetëm të ulërasë të njëjtën fjalë që ka thënë sot e katër vjet, “na jepni mundësinë të bëjmë shtet”. Por cilin shtet, dhe kush e pengoi Ramën ta realizonte këtë në katër vjet. Kishte një mazhorancë solide me më shumë se 84 vota. Represioni i tij u shtri kryesisht tek shtresat e varfëra. Sulmoi me të gjitha bateritë ata që s’kishin të paguanin energjinë, duke lënë në mes të ftohtit fëmijë, baballarët e të cilëve i fuste në burg. Premtoi 300 mijë vende pune, ndërkohë që ska hapur asnjë. Shqipëria është vendi i cili po plaket me shpejtësi për shkak të braktisjes nga të rinjtë… Këto dhe shumë të tjera, kanë bërë që Rama të rrijë larg njerëzve, dhe të preferojë ekranet e televizioneve ose rrjetet sociale për të replikuar me ta. Në fakt, Rama e ka mbyllur ciklin e tij, ai ska çfarë t’i thotë më këtij populli, sepse abuzoi me besimin e tij.