Partia Demokratike prezantohet me një plan të detajuar në këtë fushatë elektorale, e cila do të ulë ndjeshëm kostot e çdo familjeje shqiptare dhe do të lehtësojë vuajtjet e personave që jetojnë nën minimumin jetik. Programi siç ka thënë dhe kryetari i PD, Basha është hartuar nën asistencën e këshilltarëve të CDU-së së partisë të Angela Merkel dhe në bazë të tij ka uljen e taksave me qëllim forcimin e ekonomisë. Në fakt është një program që prek të gjitha shtresat dhe grupmoshat, që nga fëmijët 5 deri në 18 vjeç, të cilëve do u garantohet një sistem arsimor me kohë të plotë, rritje të pensioneve, kompensim në masën 100% të vlerës së tregut për pronarët, kompensim brenda 2021 të shtresës së të përndjekurve, përkrahje të biznesit të madh e të vogël me uljen e taksave si TVSH që do të jetë në masën 15% apo të tatimit mbi fitimin që s’do e kalojë masën e 9%, përkrahjen e bujqësisë me anë të financimeve direkte dhe indirekte e kështu me radhë. Në programin prej 20 e ca faqesh ku janë hedhur piketat kryesore, një vëmendje të veçantë marrin personat me të ardhura të pakta ekonomike, të cilëve do u paguhet të paktën minimumi jetik i faturës së dritave dhe ujit, si dhe do u garantohet ky minimum jetese nga shteti. Në më shumë se një herë, Basha ka shpjeguar se këto janë objektiva krejtësisht të arritshme, ku dy janë rrugët, frenimi i abuzimeve me fondet publike dhe shtimi i bazës së tatimpaguesve. Nga raportet e KLSH mendohet se vetëm si pasojë e abuzimit të jenë shpërdoruar rreth 1.5 miliardë euro në katër vjet. 179 milionë euro janë abuzuar vetëm në katërmujorin janar-prill 2017 dhe këtu nuk po fusim prokurimet për fasadat që kanë kushtuar rreth 400 milionë euro apo koncesionet, të cilat vetëm në shëndetësi do i kushtojnë shqiptarëve rreth 500 milionë euro në vitet e ardhshme. Në katër vite Shqipëria ka pasur një buxhet prej gati 18 miliardë eurosh, nga të cilat nuk është bërë asnjë investim i qenësishëm.
Taksë e sheshtë 9%, nuk tatohen pagat deri në 300 mijë lekë
Sipas PD-së, të gjitha taksat për biznesin dhe pagat në Shqipëri do të bëhen 9 për qind. Sot, këto taksa janë 15 për qind dhe PD parashikon një ulje prej të paktën 6 për qind. Bëhet fjalë për tatimin mbi fitimin, të ardhurat dhe dividendin. Për këtë të fundit, ndryshimi është më i thellë. PD premton të bëjë 0 tatimin mbi dividendin. Ky i fundit është tatimi për ndarjen e fitimit të bizneseve. Për pagat, PD parashikon të vendosë tatim 9 për qind, ndërsa të lërë të patatuara pagat deri në 30 mijë lekë. Edhe sot pagat deri në 30 mijë lekë në muaj janë të patatuara, por për çdo lek mbi këtë shumë, tatimi është 13 për qind deri në 23 për qind për pagat e larta. PD e parashikon 9 për qind. Nga ana tjetër, janë mbi 120 mijë biznese të vogla që pritet të përfitojnë nga plani i PD-së. Opozita premton që “biznesi me xhiro deri në 12 milionë lekë në vit do të kontribuojë për taksat kombëtare dhe vendore me jo më shumë se 1,5% të xhiros vjetore”. Angazhimi i madh i PD-së është ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar. “Shqiptarët do të blejnë më lirë, do të jetojnë më mirë, sepse ne do ta ulim TVSH-në në 15% nga 20% që është sot, duke nxitur konsumin”. TVSH është taksë mbi çdo produkt që konsumojnë qytetarët. Ulja e saj parashikohet të ndikojë në uljen e të gjitha çmimeve. Një tjetër pikë e fortë e programit është ulja e tatimit mbi pronën. Sot, për çdo shitje të shtëpisë, tokave, dyqaneve, paguhet 15 për qind taksë për fitimin që merr ai që shet pronën. PD parashikon ulje në 3 për qind. “Ulja e taksës për transferimin e pronësisë nga 15% që është sot në 3%, do të çlirojë kështu transaksionet e pronësisë”. Plani i PD-së është taksa të ulëta, rritje e konsumit dhe si rrjedhojë të ardhura më të mëdha në buxhet. Një pjesë e premtimit është edhe çlirimi i kapitalit të fjetur në banka. PD i kthehet edhe një herë idesë së bursës, por këtë radhë me një inçentivë. “Ne do të inkurajojmë krijimin e tregut privat të kapitaleve, duke ofruar përjashtim nga tatimi mbi fitimin për 2 vitet e para të të gjitha kompanive që arrijnë të shkëmbejnë në bursën shqiptare”. PD planifikon bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë me synimin që të “zhbllokojnë kreditimin e ekonomisë dhe vënë në përdorim mbi 3 miliardë euro depozita të fjetura”.
Rritje pensionesh për 650 mijë pensionistë
Sot në Shqipëri numërohen rreth 650 mijë pensionistë që preken direkt nga politikat që qeveritë parashikojnë për këtë shtresë. Programi ekonomik i PD-së është që pensionet minimale të rriten çdo vit, duke arritur në 25 mijë lekë në muaj në fund të mandatit. Sot pensioni minimal është rreth 13 mijë lekë, që do të thotë gati dyfishim. Por në program është parashikuar edhe ndryshimi i skemës së pensioneve. “Do të mbështesim integrimin e skemave private te pensionet, që shqiptarët të gëzojnë pensione edhe më të larta se 25 mijë lekë në muaj, përmes kolonave të dyta dhe të treta, sipas parimit ‘kontribuo që të kesh më shumë’. Këto kontribute do të jenë të trashëgueshme”. Krahas pensionistëve, programi parashikon ndihmë edhe për shtresat vulnerabël. “Faturat e energjisë deri në 300 kë dhe faturat e ujit për konsumin jetik do të paguhen nga shteti për të gjitha familjet në nevojë”. Pra, familjet me ndihmë ekonomike do të kenë të sigurta 300 kilovat energji dhe konsumin e ujit. Nga ana tjetër, edhe pse akoma i pallogaritur se sa është, PD premton: Çdo familjeje shqiptare do t’i garantohet minimumi jetik nga shteti”.
Stazhe të paguara deri në 200 mijë lekë për 10 mijë studentë
“Dita e shkollës do të bëhet me orar të plotë, 8:00 deri në 16:00 dhe nxënësit do të dalin nga shkolla atëherë kur dalin prindërit nga puna. Ne do të garantojmë drekën e paguar nga shteti për çdo nxënës”. Kjo është një tjetër risi e programit të PD-së, e huazuar nga sistemin arsimor perëndimor. Kjo skemë aplikohet në dy standarde në vende të caktuara, të parën janë familjet që paguajnë një pjesë të kostos, por në programin e PD-së ky shërbim parashikohet të mbulohet nga shteti. Duke kaluar tek arsimi i lartë, në programin e opozitës thuhet. “Asnjë student shqiptar që pranohet në universitete publike nuk do të ngelet pa shkollë për shkak të pagesës. 10 mijë studentëve, në bazë të meritës, do t’u garantojmë stazhe të paguara me 20.000 lekë në muaj me qëllim aftësimin profesional dhe punësimin”. Qeveria e ardhshme ka në plan dhe një rritje graduale të mëtejshme për pagat e mësuesve.
100 milionë euro financim për bujqësinë
Në qeverinë e PD financimet e buxhetit për bujqësinë do të arrijnë në 22 miliardë lekë ose rreth 150 milionë euro. Sipas programit, 100 milionë euro do të jetë financimi i drejtpërdrejtë për fermerët dhe gjithë zinxhirin agropërpunues dhe 50 milionë euro do të jenë investimet në infrastrukturë, si vaditje, kullim, rregullim tregjesh dhe siguri ushqimore. Por premtimi më i madh, i cili prek rregullat e tregtisë së lirë, është për ndalimin e importeve. Ekspertët e PD-së kanë gjetur një skemë: “Doganat do t’i pengojnë të gjitha produktet dhe nënproduktet bujqësore, që konkurrojnë në mënyrë të pandershme prodhimet shqiptare përmes tarifave proporcionale apo doganore”. Kjo do të thotë që prodhimet e importit të jenë më të shtrenjta ose të barabarta me ato të vendit.
Taksat dhe tatimet
Tatimi mbi vlerën e shtuar 15%;
Pagat nën 30 mijë lekë 0% taksë, mbi këtë shumë 9%;
Taksë e sheshtë tatim fitimi mbi të ardhurat 9%, heqje e taksimit progresiv;
S’do të ketë asnjë ngritje taksash për katër vjet;
Taksë fikse për biznesin e vogël, jo më shumë se 1.5% e xhiros vjetore;
Ulja e taksës së transferimit të pronësisë nga 15% në 3%;
Krijim i tregut të kapitaleve duke ofruar përjashtim të tatim fitimit për 2 vitet e para të gjitha kompanive që arrijnë të shkëmbejnë në bursën shqiptare.
Arsimi
Dita e shkollës do të bëhet me orar të plotë, 8.00 deri më 16.00. Nxënësit do të dalin nga shkolla atëherë kur prindërit mbarojnë punën;
Dreka e paguar nga shteti për çdo fëmijë nga 5 deri në 18 vjeç;
Asnjë student shqiptar që pranohet në universitet nuk do të mbetet jashtë për shkak të pagesës;
100 stazhe me pagesë për studentët shqiptarë pas përfundimit të shkollës, me pagesë deri në 20 mijë lekë në muaj me qëllim aftësimin profesional dhe punësimin.
Bujqësia
150 milionë euro në vit financime për bujqësinë, nga këto 100 milionë euro do të jetë financim i drejtpërdrejtë për femerët dhe të gjithë zinxhirin agropërpunues;
50 milionë euro do të jenë investimet në infrastrukturë, si vaditje, kullim, rregullim tregjesh dhe siguri ushqimore;
Doganat do të pengojnë të gjitha produktet dhe nënproduktet bujqësore që konkurrojnë në mënyrë të pandershme prodhimet shqiptare përmes tarifave propocionale apo doganore.
Të tjera
Ulja e çmimit të naftës;
Ulja e çmimit të energjisë deri në 25%;
Rritja e pagave të administratës me 50%;
Rritja e investimeve në infrastrukturë me 100 milionë euro më shumë;
Rritje të shpenzimeve për arsimin dhe shëndetësinë, 150 milionë euro në vit.
Familjet në nevojë, energjia dhe uji deri në 300 kilovat do paguhen nga shteti
Pensioni minimal do të bëhet 25 mijë lekë në muaj; Skema private të pensionit përmes kolonëve të dytë dhe të tretë sipas parimit “Kontribuo më shumë që të kesh më shumë”, këto kontribute do të jenë të trashëgueshme; Faturat e energjisë deri në 300 kilovat dhe faturat e ujit për konsumin jetik do të paguhen nga shteti për të gjitha familjet në nevojë; Çdo familjeje shqiptare do t’i garantohet minimumi jetik nga shteti.
Pronarët, të përndjekurit dhe legalizimet
Kompensimi për ish-pronarët do të bëhet sipas vlerës së tregut; Kompensimi i të përndjekurve do të përfundojë brenda vitit 2021; Proceset e legalizimit së bashku me hartimin e një rregulli kombëtar për zhvillimin hapësinor do të kryhen brenda vitit 2018.
Të përndjekurit, pronarët dhe legalizimet
PD nuk parashikon të ndryshojë skemën e qeverisë për ish-të përndjekurit, por zgjidhjen përfundimtare të problemit të tyre. “Kompensimi i të përndjekurve politikë do të kryhet brenda vitit 2021”. Por një shpresë jo e vogël për ndryshimin e skemës së financimit vjen për pronarët. Sot kompensimi i pronave bëhet me çmime të vendosura fikse nga qeveria, ku në pjesën dërrmuese prona vlerësohet shumëfish më e ulët se sa vlen në të vërtetë. PD ka një plan tjetër. “Kompensimi për pronarët do të bëhet sipas vlerës së tregut, pasi nuk mund të ketë zhvillim ekonomik apo qëndrueshmëri të shoqërisë shqiptare, pa garantuar paprekshmërinë e pronës private. Të gjitha pronat do të jenë të regjistruara në sistem dixhital. Proceset e legalizimit bashkë me hartimin e një rregulli kombëtar të zhvillimit hapësinor do të mbyllen brenda vitit 2018”.
Rregullim fiskal të borxhit në 60 %
Në programin me ndihmën e ekspertëve gjermanë, parashikohet ruajtja e balancave të buxhetit. Opozita angazhohet se do të mbajë shpenzimet “nën 31% të PBB-së, me një zbatim rigoroz të buxhetit të shtetit dhe auditim të produkteve buxhetore”. PD parashikon të ketë një disiplinë financiare sipas Kritereve të Mastrigtit me deficit buxhetor 3% të PBB-së. “Ne do të vendosim rregullin fiskal të borxhit publik në 60% të PBB-së. Ulja e borxhit publik do të jetë sinjal i fortë besimi për të gjithë investitorët e huaj dhe sistemin financiar shqiptar”.