UEFA, Bell: Nuk i trembemi arbitrazhit për Kosovën

Njeriu që zgjidhi ngërçin në UEFA, duke i ndezur dritën jeshile Kosovës për t’u votuar në Kongresin e Budapestit, Alasdair Bell, flet në lidhje me aksionet ligjore që mund të ndërmarrë Federata e Serbisë në të ardhmen. Përfaqësuesi i çështjeve ligjore në institucionin më të lartë të futbollit europian, e pranon se Serbia mund ta apelojë vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, por shton se në aspektin ligjor, UEFA nuk ka pse të trembet nga kjo gjë.
“Ne zhvilluam një proces demokratik vendimmarrjeje që lidhet ekskluzivisht me sportin. Pyetja e parë ishte nëse Kosova ishte e gatshme të bëhej pjesë e UEFA-s. Në këndvështrimin tonë, përgjigja jonë për këtë pyetje është po. Pyetja e dytë u drejtohej anëtarëve tanë nëse dëshironin që Kosova të bëhej pjesë e UEFA-s dhe ata votuan pro. Nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por ju siguroj që kjo çështje nuk na shqetëson aspak”.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe sekretari i përgjithshëm Theodore Theodoridis, sipas të cilit tashmë duhet pritur edhe vendimi që do të marrë FIFA në kongresin e mesit të këtij muaji. Në rast se edhe FIFA e pranon Kosovën si anëtare me të drejta të plota, atëherë Kombëtarja e Albert Bunjakit do të nisë menjëherë përgatitjet për të marrë pjesë në fazën eliminatore të Botërorit 2018 që starton në muajin shtator. Kosova mund të caktohet në grupin I dhe ndeshjen e parë mund të zhvillojë në Finlandë.

Artikulli paraprakA do të largohen futbollistët shqiptarë
Artikulli tjetërKa një mori ofertash, por Hasi pret Shqipërinë