Në Elbasan mblidhen kartat e identitetit për të blerë votat

Drejtuesi politik i PD në Qarkun e Elbasanit, Edmond Spaho denoncoi dje në Polici marrjen e kartave të identitetit të qytetarëve romë, me qëllim përdorimin e tyre në mënyrë të paligjshme në zgjedhje. Spaho bëri me dije se, janë gjetur 40 kopje të kartave të identitetit të qytetarëve romë. Ai gjithashtu theksoi se, ka tentativa për blerje votash, sidomos në qytetin e Cërrikut, për të cilat do të kërkohet gjithashtu hetim.
“Sapo denoncuam një tentativë për shitblerje votash në Elbasan. Afër zyrës së PD-së, gjetëm një tufë rreth 40 fleta fotokopje, karta identiteti dhe pasaporta të komunitetit rom. U interesuam dhe njërit prej personave na tregoi se u janë marrë kartat familjarisht dhe se ato janë mbledhur nga individi Afrim Jagodina. Të gjitha materialet, kartat dhe deponimin e tij, ia kaluam Policisë. Subjektin do ta zgjidhë Policia sipas akuzave që janë deponuar. Policia ka filluar hetimin e çështjes. Do veprohet sipas procedurave”, deklaroi Spaho.
Gjithashtu, Spaho u shpreh se ka patur tentativë për blerje votash në Cërrik. “Kemi pasur njoftime verbale për tentativa të shpërndarjeve të parave në Cërrik. Konstatohen mjaft raste që individë të forcave të ndryshme politike përpiqen të mbledhin vota në këmbim të parave”, tha Spaho për mediat.

PS, 50 euro një votë në Elbasan

Blerja e votave po bëhet në mënyrë masive nga PS. Në Dumre të Elbasanit një votë blehet me 50 euro. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili shkruan se i kanë ofruar 50 euro për një votë. Ai thotë se ka 11 votues në shtëpi dhe i kanë dhënë 550 euro në këmbim të votës për PS. “Mbrëmë kemi bërë festë në Grekan. Lekë pa fund këta të PS-së. Me nga 50 euro vota. Kam 11 veta në shtëpi. Duam zgjedhje çdo vit kështu”, shkruan qytetari.
Bëhet e ditur se votat po blihen edhe në qytetin e Cërrikut. Ndërsa në Elbasan u janë marrë kartat e identitetit qytetarëve romë, me qëllim përdorimin e tyre në mënyrë të paligjshme në zgjedhje.

PS ndan ndihma ushqimore në këmbim të votës në Gjirokastër

PS në Gjirokastër shpërndan ndihma ushqimore tek familjet e varfëra në këmbim të votës. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazhit të dërguar nga një qytetar. “Në Gjirokastër ushqim për votë! Kjo është farsa elektorale e Norieges!”, shkruan Berisha në Facebook, teksa poston edhe fotografitë. “Përshëndetje doktor! Kështu blihen votat në Gjirokastër”, shkruan qytetari.
Ndërkohë, edhe LSI po shpërndan para në Gjirokastër për blerje votash në disa lagje. Jugunews shkruan se, blerësit e votave kanë qenë kryesisht punonjës të ndërmarrjeve dhe agjencive që varen nga Bashkia e Gjirokastrës. Aksioni ka filluar në orët e mbrëmjes dhe për të humbur çdo mundësi vrojtimi nga kundërshtarët e tyre, Zamira Rami, ka urdhëruar stakimin e ndriçimit publik në lagjet “Zinxhira”, “Mecite”, Blloku i “Furrave”, “Punëtori”.
Këto lagje kanë kontigjent të lartë votuesish dhe njëkohësisht me numrin më të lartë të familjeve të vobekta që përfitojnë nga Bashkia e Gjirokastrës trajtim financiar. Të besuarit e Zamira Ramit kanë qenë në terren ku kanë arritur të depërtojnë në familje të varfëra në këto lagje, ndërkohë që me sukses arritën të shpërndanin euro kundrejt votës:
Në lagjen “Zinxhira” kanë shpërndarë në 89 familje nga 200 euro. Në lagjen Blloku i “Furrave” 35 familje nga 250 euro. Në lagjen “Mecite” 21 familje nga 250 euro. Në lagjen “Punëtori” në 120 familje nga 300 euro. Mësohet se sasi të hollash po dje, janë dhënë në 10 familje në fshatin “Arshi Lengo” ku u janë dhënë 200 euro 5 familjeve me katër votues dhe 5 familjeve të tjera 300 euro me mbi katër votues.

Drejtoresha e Arsimit Kavajë detyron mësuesit të votojnë për PS

Drejtoresha e Zyrës Arsimore në Kavajë, Sonila Peza u bën presion mësuesve që të votojnë për Partinë Socialiste. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ish-Kryeministri Sali Berisha ka publikuar disa mesazhe, të cilat tregojnë sesi Sonila Peza, e cila mban postin e Drejtoreshës së Arsimit në Kavajë kërkon votat për PS. Berisha i ka kërkuar Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin ndaj saj.
“Ndrikull Sonila Peza drejtore e Arsimit në Kavajë nuk njeh ligj dhe as moral. Ajo sot hap grupe në What’sApp dhe kërkon votën e arsimtarëve për PS. I bëj thirrje Prokurorisë të verë para ligjit këtë dhunuese të paskrupullt të ligjit të Arsimit dhe Kodit Elektoral. Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e mësuesit dixhital”, shkruan Berisha.
“Sonila Peza, e cila bën propagandë politike në Kavajë, ka hapur një grup në What’sApp dhe u bën propagandë mësuesve, duke përfshirë edhe drejtorë të tjerë për të votuar Partinë Socialiste. Ajo me emrin Soni ështe Sonila Peza, drejtoresha e Arsimit”, shkruan qytetari.
Policja rrugore thirrje për të votuar PS-në
Një efektive e Policisë Rrugore dhe një punonjës i Gardës së Republikës së Shqipërisë, u bëjnë thirrje qytetarëve shqiptarë që të votojnë për Partinë Socialiste ditën e zgjedhjeve. Denoncimi është bërë publik në Facebook nga ish-Kryeministri Berisha. “Ku pyesin për ligj çunat dhe çupat e krimit. Për ata, Zoti në qiell dhe Noriega në tokë, antiligji është amoraliteti i tyre!”, shkruan ish-Kryeministri Berisha.
Përfshirja në fushatë elektorale, apo thirrjet për nxitje politike janë të ndaluara me ligj për çdo punonjës me uniformë policie apo ushtarake në Shqipëri.

Artikulli paraprakPrefekti i Kukësit ndan para në këmbim të votës
Artikulli tjetërDoganieri kapet me lista dhe para duke blerë vota