Zgjedhjet, 3580 punonjës u punësuan

Janë 3580 punonjës që kanë hyrë në administratë gjatë periudhës së fushatës elektorale. Lajmi bëhet i ditur nga zyra e Task Forcës së ngritur për monitorimin e administratës. Në njoftimin për shtyp thuhet se, në bazë të informacioneve të ardhura, punësimet janë bërë në kundërshtim me urdhrin e kryeministrit, ndërsa nga ana e saj zv/kryeministrja Ledina Mandija ka kërkuar që të dhënat t’i dërgohen Kontrollit të Lartë të Shtetit për një verifikim të hollësishëm të të gjitha rasteve. Punësimet e reja janë bërë në ministri, bashki dhe kompani publike. Task Forca po ashtu ka kallëzuar në Prokurori Shoqërinë e Ujësjellës Kanalizimeve, që është në varësi të Bashkisë së Tiranës, se pas datës 26 maj në të janë punësuar 18 shtetas dhe janë larguar 7 të tjerë në shkelje të Kodit Elektoral. Zyra e Zv/Kryeministres Mandija njofton se ka dyshime të arsyeshme që janë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit aktiv në zgjedhje. Një ditë përpara mbajtjeve të zgjedhjeve parlamentare, Task-Forca miratoi edhe planin e masave operacionale për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Të gjithë qytetarët që duan të denoncojnë rastet e përfshirjes së administratës ditën e zgjedhjeve si dhe në procesin e numërimit, është hapur portali elektronik i denoncimeve.

Qendrat e votimit

Qendrat e Votimit dhe KZAZ mbrëmjen e djeshme (24 qershor) janë marrë në ruajtje nga Policia e Shtetit. Punonjësit e policisë janë paraqitur sipas detyrës së përcaktuar, duke marrë në ruajtje 5 362 Qendra Votimi dhe 90 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor. Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit, Policia e Shtetit ka angazhuar  5851 punonjës policie. Ndërkohë nga KZAZ-të nuk ka përfunduar ende shpërndarja e plotë e materialeve zgjedhore për në VNV. “Ruajtja e Objekteve Zgjedhore do të vazhdojë deri në orën 07:00 të datës 25.06.2017 kur pranë tyre do të fillojnë normalisht punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor”, sqaron policia.

Detyra e Policisë së Shtetit:

Ruajtjen e Qendrave të Votimit, proces i cili do të vijojë deri në momentin kur KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit. Në menaxhimin e situatave apo të dhënies ndihmë për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Qendrat e Votimit, në rastet e kërkesës së ligjshme të Komisioneve të Qendrave të Votimit. Shoqërimin e materialeve të votimit nga Qendrat e Votimit për në Vendet e Numërimit të Votave. Marrjen në ruajtje dhe sigurimin e Vendeve të Numërimit të Votave. Kryerjen e veprimeve procedurale për të gjithë ngjarjet/incidentet që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor, duke bashkëpunuar me prokuroritë e rretheve gjyqësore. Dhënien e ndihmës për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Vendet e Numërimit të Votave, në rastet e kërkesës së ligjshme të KZAZ-ve. Shoqërimin e materialeve zgjedhore nga Vendet e Numërimit të Votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në përfundim të procesit zgjedhor. Si dhe garantimin e rendit publik në të gjithë territorin e vendit. Polica thotë se, në të gjithë vendin aktualisht situata përsa i përket rendit dhe sigurisë publike paraqitet e qetë. Policia e Shtetit, krahas angazhimit maksimal për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në aktet normative në kuadër të procesit zgjedhor, është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor.

KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

KQZ ka miratuar rregullat që do të ndiqen për personat që do të lejohen në qendrat e votimit. Në rast të incidenteve KZAZ njoftojnë komisionerët dhe KQZ që më pas veprojnë, duke njoftuar forcat e rendit. “KQZ vendosi gjatë ditës së votimit nga momenti i hapjes së qendrave të votimit në orën 07:00 deri në momentin e mbylljes në orën 19:00 ndalohet qëndrimi, grumbullimi apo çdo veprimtari tjetër i personave, të cilët nuk janë të parashikuar nga neni 110 i Kodit Zgjedhor në objektet ku janë vendosur qendrat e votimit. Në rast se anëtarët apo sekretari i Qendrës së Votimit konstaton këtë fakt mban një procesverbal dhe njofton KZAZ përkatëse dhe KQZ. KQZ apo KZAZ ia përcjell njoftimin organeve të Policisë së Shtetit për të marrë masat e nevojshme për të garantuar zhvillimin e rregullt të votimit”.

Artikulli paraprakDjali i Mero Bazes, bursë 50 mijë euro me paratë e taksapaguesve
Artikulli tjetërBalotelli rinovon me Nice