Trump nuk ka më pengesa, drejt garës me Hillary Klinton

Miliarderi amerikan, Donald Trump, duket se është shumë afër marrjes së nominimit presidencial nga ana e republikanëve, për zgjedhjet presidenciale në SHBA, pasi mposhti të martën rivalin e tij kryesor në një fitore kritike në shtetin amerikan të Indianas.
Kundërshtari i tij serioz, senatori Ted Cruz, hoqi dorë nga gara pas humbjes në Indiana, një shtet ku ai dikur shpresonte se do ta fitonte.
Me Cruzin jashtë garës, kryesuesi i Partisë Republikane, Reince Preibus, deklaroi se Trump është i “nominuari i paragjykuar” i partisë dhe u bëri thirrje të gjithë republikanëve, përmes një postimi në Twitter, që “të bashkohen dhe fokusohen në mposhtjen e Hillary Clinton”.
Demokratja Clinton, nga ana tjetër tregohet pothuajse e bindur se do ta arrijë nominimin e partisë së saj, pavarësisht humbjes nga rivali i saj Bernie Sanders në shtetin e Indianas. Ajo veçse ka 92 për qind të delegatëve që i nevojiten për ta siguruar nominimin e Partisë Demokratike në Konventën që mbahet në muajin korrik.
Trump, pikëpamjet e të cilit për politikën e jashtme kanë ngritur alarm në disa kryeqytete botërore, sidomos në Islamabad, e bëri të qartë se ai e sheh Hillary Clinton si pengesën e vetme drejt arritjes në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne i jemi vënë pas Hillary Clintonit”, tha ai para një turme njerëzish që festonin në Nju Jork, duke shtuar se ish-senatorja amerikane, ish-zonja e parë e shtetit, dhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, do të ishte “një presidente e dobët”.
Ai tha se do të fitojë në nëntor, madje se do ta shënojë një fitore të madhe dhe se Amerika do të jetë në rend të parë.
Ndërkohë, këshilltari i lartë i Clintonit, John Podesta, tha se Trump paraqet “rrezik të madh” për t’u bërë president.
“Ne do të kemi një fushatë të ashpër kundër një kandidati që thotë dhe bën çdo gjë”, tha Clinton për Trumpin më herët gjatë ditës, duke shtuar se do ta eliminojë atë nga gara.
Lidhur me qëndrimet e fundit për çështjet ndërkombëtare, Trump tha se ai ka për qëllim që të punojë më ngushtë me Rusinë, përderisa ka kërcënuar se do t’i ndalojë ndihmat për Pakistanin, në mënyrë që ta detyrojë Islamabadin që ta lirojë mjekun, i cili ndihmoi SHBA-të për ta gjetur dhe vrarë liderin e Al-Qaedës, Osama Bin Laden.
Pasi mori shumicën nga 57 delegatët e Indianas, Trump tani ka 1.047 nga 1,237 kandidatët e nevojshëm për ta siguruar fitoren në Konventën e Republikanëve, që mbahet në muajin korrik.
Atij i duhet t’i fitojë edhe 200 delegatë, apo 42 për qind të atyre që alokohen në zgjedhjet paraprake në SHBA, nisur prej tani e deri më 7 qershor, gjë që mund të konsiderohet se ai do ta bëjë lehtësisht, marrë parasysh performancën e tij në zgjedhjet në shtete deri më tani.
Kjo është arsyeja pse shumë liderë të Partisë Republikane, sikurse Priebus, pasi luftuan për muaj të tërë kundër kandidimit të Trumpit, tani po e pranojnë se ai është i nominuari i pashmangshëm.
Disa republikanë të tjerë, megjithatë, mund të refuzojnë të bashkohen e qëndrojnë prapa Trumpit. Agjencia e lajmeve AP raporton se disa konservatorë planifikojnë të takohen më 4 maj për të vlerësuar mundësinë e një kandidati të palës së tretë, që do të sfidonte Trumpin në vjeshtë.

Ted Cruz tërhiqet nga gara

Rivali i Trump, senatori nga Teksasi Ted Cruz, në një fjalim të martën në mbrëmje njoftoi se do të largohet nga gara. Gara në Indiana ishte shpresa e vetme e tij për të ndalur hovin e kandidatit Trump.
Në kampin demokrat, sipas shtypit amerikan pritet të ketë fituar Bernie Sanders në një garë të ngushtë me rivalen Hillary Clinton.
Fiotorja e Donald Trumpit pritet të jetë e thellë. Pas garës në Indiana, miliarderi i pasurive të patundshme, që nuk ka mbajtur kurrë më parë një post publik, pritet të marrë edhe 57 delegatë të tjerë, jo të mjaftueshëm për të arritur shifrën 1237, por në rrugën e sigurtë për t’u quajtur kandidati i pritshëm republikan që do të emërohet gjatë kuvendit të partisë në korrik.
“Në se fitojmë në Indiana, gara ka përfunduar”, u shpreh Donald Trump para votimeve në shtetin konservator të Indianës, ku fermat bujqësore ndërthurren me qendrat industriale.
Për demokratët, Sanders pritet të ketë fituar sipas parashikimeve, por Clinton ka shumë më tepër delegatë dhe për Sanders është matematikisht e pamundur të fitojë numrin e mjaftueshëm për të siguruar emërimin e partisë.
Trump filloi ta zhvendosë gjuhën e tij të ashpër të kritikave nga rivalët republikanë tek kandidatja e pritshme demokrate Hillary Clinton. Gjithnjë e më shumë duket se gara në nëntor do të zhvillohet mes dyshes Trump-Clinton.
Ai e kritikoi ashpër Clinton-in si sekretare shteti, duke thënë se ajo ishte në gjumë gjatë sulmit terrorist të vitit 2012 në Benghazi të Libisë ku gjetën vdekjen katër amerikanë, mes të cilëve edhe ambasadori amerikan në Libi.
Trump u tha përkrahësve të tij se, ai mund të fitojë ndaj Hillary Clintonit në shtetet ku republikanët zakonisht nuk fitojnë, ndonëse anketat e tanishme nuk tregojnë për një gjë të tillë.

Artikulli paraprak“Vardy vinte i dehur në stërvitje”
Artikulli tjetërPas UEFA-s, Kosova do të jetë edhe pjesë e FIFA-s