Zgjedhjet kanë rënë dhe janë kthyer në një formalitet në Shqipëri, ku sistemi oligarkik është spostuar nga Lindja për t’u ulur këmbëkryq në Shqipëri. OSBE/ODIHR deklaroi dje se blerja e votave dhe kërcënimet minuan besimin e opinionit publik tek procesi, duke i dhënë farsës elektorale goditjen më të rëndë.
Deklarata e djeshme e OSBE/ODIHR në përfundim të procesit zgjedhor është e barazvlefshme me rrëzimin e të gjitha standardeve zgjedhore, të cilat në këto zgjedhje dështuan. Megjithë punën e ministrave teknikë për të parandaluar hordhitë e armatës së blerësve të votave të pushtetit në të gjithë vendin, ata e kishin të pamundur të arrinin të parandalonin këtë efekt kriminal. Blerja e votave u përhap në të gjithë Shqipërinë dhe ai që vendosi nuk është më vota e shqiptarëve, por thesi i pushtetit ku ka futur të gjithë shqiptarët.
Demokracia sot është më e rrezikuar se asnjëherë më parë. Shqipëria nuk zhvillon dot zgjedhje të lira në asnjë prej proceseve elektorale të këtyre katër viteve dhe vulën ja dha procesi i së dielës. Fjalia e raportit të OSBE/ODIHR sipas të cilëve blerjet e votave dhe kërcënimet minuan besimin e zgjedhësve është çelësi se si duhet kuptuar bojkoti i madh i shoqërisë nga procesi elektoral.
Qytetari e merr mesazhin kur pushteti fut duart tekj zgjedhjet se vota e tij është e pavlefsjhme. Në raste të tilla ai ka tre zgjidhje ose duhet të marrë paratë e pushtetit, ose duhet ti nënshtrohet presioneve, ose duhet të braktisë dhe të mos votojë fare. Të treja këto kanë ndodhur në zgjedhjet e së dielës, ndërsa kontigjenti i demokratëve dhe asaj pjese të shoqërisë që nuk i është nënshtruar asnjë prej këtyre tre alternativave meriton mirënjohje sepse ka bërë një detyrim qytetar ndaj vendit ndonëse i provuar se nuk është sot shumicë.
Në momentin kur nuk ka besueshmëri tek procesi, atëherë zgjedhësit e konsiderojnë votimin një humbje kohe dhe e lënë atë drejt rënies së lirë. Kjo ka ndodhur në Shqipëri të dielën, ku fituesi i zgjedhjeve në një rast historik pritet të çertifikohet me vetëm votat e 20 për qind të shqiptarëve me të drejtë vote. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në një vend demokratik dhe është tregues i krizës së rëndë që ka përfshirë sistemin.
Në Shqipëri ka vdekur vota e lirë, ndërsa është instaluar akoma dhe më fuqishëm pushteti i oligarkëve dhe krimit të organizuar. Shqipëria nuk do të ketë ditë më të mira pas farsës elektorale që pritet të mbyllet sot. Shqipëria do të shkojë drejt një sistemi autoritar që do të rrezikojë liritë e qytetarëve. Kjo ka nisur nga vota. Thelbi i një shoqërie të lirë është vota e lirë, ku njerëzit zgjidhen dhe zgjedhin. Ky raport është prishur në Shqipëri. Në këtë vend nuk zgjedhin më qytetarët, por thesi i parave të oligarkisë dhe të krimit.
Gjithçka është një farsë e çertifikuar tashmë edhe më raportin e vëshguesve ndërkombëtarë, i cili çuditërisht nuk gjeti asnjë hapësirë dje në mediat e kapura të pushtetit për tu pasyqruar dhe për ti bërë jehonë. Ky raport i OSBE/ODIHR ndryshon si nata me ditën me raportin që i njëjti grup vëzhgues i bëri zgjedhjeve të Maqedoni ku u shprehën qartë se vota ishte e lirë dhe qytetarët shprehin të lirë vullnetin e tyre politik.
Shqipëria është tani në rënie të lirë drejt një sistemi autoritar dhe detyra e opozitës është të ringrihet me shpejtësi për tu përballur më sfidat e këtij regjimi.
Arben SHAHINI