Murinjo, 45 milionë euro për Nainggolan

45 milionë euro për Radja Nainggolan. Kjo është shuma që Jose Murinjo është gati ta shpenzojë për mesfushorin e Romës, i cili ende është në bisedime me verdhekuqtë për rritje të pagës. Përfaqësuesit ligjorë të futbollistit të kombëtares belge dhe drejtuesit e Romës janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje të re, por me ndërhyrjen e Manchester United mund të kemi ndryshim të menjëhershëm të situatës. Klubi anglez është gati të derdhë deri 45 milionë euro në arkat e Romës, ndërsa futbollistit i ofron një kontratë nga e cila do të përfitojë 7.5 milionë euro në sezon.
Vitin e kaluar ishte Chelsea klubi që bëri një megaofertë për Nainggolan, por që u refuzua nga Roma. Për shkak të interesimit të klubeve më të mëdha europiane 29-vjeçari priste rritje të ndjeshme të pagës, por deri në këto momente asgjë nuk ka ndryshuar.
Naingolan ka kërkuar 4 milionë euro plus bonuset për të rinovuar kontratën me verdhekuqtë, ndërkohë që drejtori sportiv Monchi te 4 milionë euro ka përfshirë edhe bonuset. Premisat janë që palët të shtrëngojnë duart shumë shpejt, sepse Radja gjithmonë është shprehur se e dashuron Romën dhe stilin e jetës në kryeqytetin italian.
Mirëpo me ndërhyrjen prepotente të Manchester United, edhe vetë Roma mund të lëkundet. Është fakt që rreth një muaj më parë Jose Murinjo ka kontatuar me njerëz të afërt të Naingolan, të cilëve u ka shprehur vlerësimet maksimale për futbollistin. Me 45 milionë euro në tavolinë Roma do të mendohej gjatë për të kthyer një përgjigje përfundimtare.

Artikulli paraprakDominon Real Madridi
Artikulli tjetërProblemi i Moratas