Deputetët e PD: Së bashku ringrihemi

Deputetët demokratë bëjnë thirrje për analizë të thellë mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, si dhe për bashkimin e fuqishëm të të gjithë demokratëve për t’u ringritur së shpejti. Dy deputetët e listë së Vlorës që u shpallën fitues pas përfundimit të numërimit, Agron Shehaj dhe Nada Meçorapaj kanë postuar në faqet e tyre në Facebook mesazhe përshëndetëse për mbështetësit dhe votuesit. Ata nuk kanë harruar të shprehin mirënjohjen për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Shehaj shkruan: “Mirënjohje për kryetarin e Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, për besimin që më dha duke më kandiduar. Së bashku do të ringrihemi!”. Meçorapaj, e dyta në listë, pasi falënderon strukturën lokale të PD, si dhe numëruesit, vëzhguesit etj., i dërgon një mesazh falënderimi kreut të forcës politike, të cilën ajo do të përfaqësojë në Parlamentin e Shqipërisë. “I nderuari kryetar i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, mirënjohje për besimin dhe kandidimin! Unë do të jem deputetja e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë dhe mbështetësja e çdo aksioni tuaj politik e shoqëror”. Vangjel Dule është i treti në listën e PD që do të ketë një vend në Kuvendin e Shqipërisë.

Tritan Shehu: Mirënjohje demokratëve

Deputeti demokrat, Tritan Shehu ka shprehur mirënjohjen për të gjithë demokratët që mbështetën PD në këto zgjedhje. “Një falënderim i sinqertë për të gjithë ata që më mbështetën e luftuan së bashku me mua në këtë fushatë elektorale! Dëshiroj të falënderoj së pari strukturat e PD, simpatizantët tanë, kandidatët për deputetë të PD, bashkëpunëtorët e mbështetësit në të gjithë Qarkun e Gjirokastrës, për fushatën tejet civile të zhvilluar, që u bënë promotorët e zgjedhjes sime si deputet. Falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan e mbështetën nga pjesë të ndryshme të vendit apo jashtë tij. Falënderoj veçanërisht të gjithë votuesit e listës së kandidatëve tanë në këtë qark. Përshëndes të gjithë banorët e mrekullueshëm të kësaj treve vlerash dhe traditash të larta për gjithçka bënë, qoftë edhe për një buzëqeshje a shtrëngim duarsh. Do t’ju qëndroj afër, pavarësisht se nuk u arritën plotësisht objektivat tona edhe këtu. Një përshëndetje të veçantë edhe familjes sime, e cila e gjitha u bë pjesë e kësaj ‘beteje’. Dua të falënderoj kryetarin Basha që më dha rastin të jem deputet në këtë zonë mençurie e urtësie, ku janë rrënjët e familjes sime. Pa dyshim kjo më mbush me një kënaqësi e përgjegjësi të veçantë”, thekson Tritan Shehu.

Nard Ndoka: Ngritja e PD është e afërt dhe e sigurtë

Nard Ndoka arriti të siguronte mandatin e deputetit, si i pesti në listën e PD-së në Shkodër. Përmes një reagimi ai falënderon votuesit, si dhe i del në krah Lulzim Bashës. “Lulzim Basha pati përballë një ‘juntë shtetërore’, që e çmontoi në dy e tri pjesë, që ngriti lart moralin e shpresën e demokratëve në të gjithë Shqipërinë; por koha ishte e shkurtër, emergjente dhe e pamjaftueshme për të fituar betejën! Lulzim Basha i duhet opozitës; u duhet demokratëve për të vazhduar luftën me të keqen, për të vendosur standarde kushtetuese për Kodin Zgjedhor, për drejtësinë, për reformat dhe integrimin tonë europian. Demokratët nuk kanë kohë për të humbur, as për të vajtuar, as për të dëgjuar kritikët inatçorë, që vetëm shajnë e kritikojnë. Personazhe pa alternativa, pa ide, por vetëm me mllef. Opozita ka një projekt, ka një alternativë, ka një shpresë, dhe ky është Lulzim Basha. Ne humbëm një betejë që ishte e minuar, por ngritja dhe fitorja jonë është e afërt dhe e sigurtë. Fitorja e Edi Ramës është si fitorja e ‘Pirros’, fitore e deformuar! Edi Rama duhet të mendojë mirë, të respektojë marrëveshjen me opozitën, të lexojë qartë votën reale dhe atë të tjetërsuar. Për Lulzim Bashën tashti fillon loja e pastër. Fillon epoka e tij! Intrigat, kurthet, vështirësitë, tashmë morën fund. Demokratët nuk kanë kohë për të humbur, as për të vajtuar, as për të dëgjuar kritikët inatçorë, që vetëm shajnë e kritikojnë. Personazhe pa alternativa, pa ide, por vetëm me mllef. Opozita ka një projekt, ka një alternativë, ka një shpresë, dhe ky është Lulzim Basha”.

Pollo: PS riaktivizoi grupet kriminale në zgjedhje

Deputeti i PD-së në Fier, Genc Pollo në një reagim në Facebook për rezultatin e zgjedhjeve hedh akuza të forta ndaj PS për përdorim të grupeve kriminale në zgjedhje dhe blerje të votave. “U zgjodha deputet i Kuvendit për Partinë Demokratike në Qarkun e Fierit. Duke falënderuar PD e kryetarin Basha për besimin do të doja të shprehja në radhë të parë mirënjohjen për votuesit, anëtarët e PD, aktivistët e fushatës, komisionerët zgjedhorë, si dhe kandidatët e tjerë të nr. 6 për përkrahjen e punën e tyre gjatë katër javëve të fundit. Ishte një fushatë zgjedhore e shkurtër, madje tepër e shkurtër, veçanërisht intensive e në mot të nxehtë. Do të përpiqem t’i përfaqësoj luajalisht në Kuvend e t’u jem pranë sa herë të lipset. Procesi zgjedhor fatkeqësisht sërish u cenua nga votëblerja masive përmes personave të PS e LSI, presioni i administratës shtetërore, megjithë përpjekjet e lavdërueshme të ‘ministrave teknikë’ dhe në disa qarqe riaktivizim i grupeve kriminale në favor të PS. Megjithatë vota për PD fatkeqësisht nuk ishte ajo që shpresonim apo edhe prisnim. Ajo nuk na delegoi përgjegjësinë e pushtetit. Pas kësaj fillon procesi i ngritjes së PD si parti e përgjegjësive të madhe në vendin tonë. Asnjë rrethanë a mazhorancë nuk është e pandryshueshme”, shprehet Pollo.

Halimi: Paratë dhe gangsterët triumfuan mbi varfërinë e thellë

Deputeti demokrat, Eduard Halimi ka shprehur keqardhjen dje që zgjedhjet e 25 qershorit u blenë masivisht nga paratë e drogës dhe krimit dhe triumfuan mbi varfërinë e thellë. Halimi falënderon gjithë demokratët që besuan tek PD. “Falënderim të thellë për 2400 komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit‎ e Partisë Demokratike në 305 QV e Qarkut të Beratit që qëndruan deri në kutinë e fundit për të numëruar çdo votë. ‎Respekt dhe përgjegjësi të lartë ndaj gjithë qytetarëve të Qarkut të Beratit që votuan Partinë Demokratike. ‎Respekt për burrat dhe gratë dinjitoze që nuk e shitën votën dhe as u përulën as para thesit të pushtetit, as parave dhe presionit të gangsterëve të lidhur me pushtetin, por votuan për të ndryshuar ekonominë e familjeve të tyre.‎ Keqardhje që kontrata e politikës me krimin ia doli sërish në Berat, që me paratë, forcën dhe lidhjen e gangsterëve me pushtetin, të blejnë votën e njerëzve të varfër gjatë javëve të fundit, të mposhtin dinjitetin tyre e të triumfojnë mbi varfërinë e thellë në Skrapar, Poliçan, Kuçovë, Urë Vajgurore e Berat. ‎Kontrata e krimit me politikën ia doli që edhe ditën e votimit në çdo‎ qendër votimi patrullat e fuoristradave të zeza të bënin ligjin duke sfiduar organet e ligjit, praninë e medias dhe të vëzhguesve të ODHIR- Osce në Uznovë, Velabisht, Celepias në qendër të Beratit e Kuçovës.‎ Falënderim të thellë për shtabin e fushatës dhe punën e jashtëzakonshme të secilit kandidat për deputet që ishim së bashku në 200 takimet e 20 ditëve të fushatës. Në veçanti, mirënjohje për punën e jashtëzakonshme të Astritit, me të cilin pata fatin të punoja kaq ngushtë në këto 4 javë. ‎Keqardhje që nuk ia dolëm të nxirrnim PD nga vendi i tretë ku ndodhej e të merrnim mandatin e dytë edhe pas shkurtimit të një mandati në këto zgjedhje. Nuk mundëm të prishnim kontratën e politikës me gangsterët e krimit këtu në Qarkun e Beratit që vret demokracinë, votën e lirë dhe vret ekonominë”, shprehet deputeti Halimi.

Artikulli paraprakDilemat mbi koalicionin që do qeverisë Kosovën
Artikulli tjetërBE: Hetim për blerjen e votave dhe kërcënimet