Duka denoncon blerjen e votave: U ndanë edhe për të mos marrë pjesë në votime

Një tjetër aleat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thyer heshtjen, ndërsa ka shpjeguar arsyet sepse opozita humbi zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit.
Agron Duka, kryetari i PAA-së, ka renditur si shkak për humbjen në zgjedhje gjendjen e dobët të strukturave të PD-së, por edhe përdorimin masiv të lekëve nga Partia Socialiste. Duka tha se rezultati i 25 qershorit është tejet i dyshimtë jo vetëm përsa i takon shifrave, por edhe mospjesëmarrjes së zgjedhësve në votime.
“Kam pasur me mijëra informacione, deri dy ditë para zgjedhjeve, se po shpërndahen para jo vetëm për të blerë votën, por edhe për të mos marrë pjesë në votime. Dhe e vërteta është që në zgjedhje munguan ata që konsiderohen mbështetës të PD-së”, tha Duka.
Në vijim ai shtoi se nëse do të kandidonte nën siglën e PAA apo kujdo partie tjetër që ishte e regjistruar në zgjedhje, do të kishte fituar, pasi të paktën 10 mijë vota të tij u derdhën për PD-në.
“Isha i 5-ti në listë, isha i fshehur ndaj dhe nuk mjaftuan 10 mijë votat e mia që të dilja deputet. Por ka një mënyrë që unë mund të hyj Kuvend, por ata të PD-së nuk janë aq zemërgjerë”, tha Duka, duke hedhur idenë se dikush nga kandidatët e PD-së mund të dorëzonte mandatin e deputetit dhe lista të zbriste më poshtë.
I pyetur mbi përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve, kreu i PAA-së tha se përgjegjës janë të gjithë dhe jo vetëm Lulzim Basha. “Secili ka përgjegjësinë e tij, ka Basha, Kryesia e PD-së, ata që u larguan nga listat dhe ishin inekzistentë në fushatë, ne si aleatë. Nuk mendoj se përgjegjësi ka vetëm Lulzim Basha”, tha kreu i PAA-së.

Enton DACI

Artikulli paraprakLSI në opozitë me njërën dorë në tepsi
Artikulli tjetërNjë pyetje për të gjithë ata që kanë vënë në shënjestër Bashën