Si u masakrua i riu në Tiranë nga pronari dhe kamerieri i lokalit

Një 31-vjeçar është rrahur brutalisht pasditen e së shtunës në Tiranë nga pronari dhe kamerieri i një lokali. I dëmtuari ndodhet në gjendje kome në Spitalin e Traumës dhe mjekët thonë se gjendja e tij është mjaft e rëndë e në rrezik për jetën. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të së shtunës, në lokalin në pronësi të shtetasit Edjano Merkaj, 22 vjeç, që ndodhet në rrugën “Prokop Mima”, pranë “Kodrës së Diellit”, në kryeqytet.
Policia ka arrestuar dy autorët e ngjarjes, pronarin Edjano Merkaj dhe kamerierin e lokalit, 21- vjeçarin Igli Përtafi. I plagosuri, Elvis Meta, 31 vjeç, është gjetur pa ndjenja dhe me shenja të dukshme dhune nga Policia, që e ka transportuar më pas në spital. Ndërsa mësohet se gjithçka ka ndodhur për një celular të vjedhur aty, një ditë para ngjarjes.
Duke dyshuar se Elvis Meta ishte hajduti i celularit, ata e kanë rrahur për disa minuta me grushte e shkelma, duke i shkaktuar gjendje kome. Policia dyshoi se 31-vjeçari ishte goditur me sende të forta, por nga këqyrja e kamerave të sigurisë së lokalit, u konstatua se të dy autorët e kanë rrahur, duke e shtrirë në tokë e më pas duke e goditur me shqelma. Sipas mjekëve, ai ka humbur ndjenjat nga një goditje në pjesën e fytit dhe të kokës, që i ka shkaktuar komën.

Artikulli paraprakGjykata liron ‘Ben Çamin’, u kap për kamionin me 570 kg kanabis
Artikulli tjetërKapet me 500 mijë euro drogë, arrestohet shqiptari në Itali