Seedorf kandidon për stolin e kombëtares

Clarence Seedorf kandidat për stolin e kombëtares shqiptare. Ish-mesfushori holandez është emri që ka fituar kuota të ndjeshme gjatë orëve të fundit për të pasuar Gianni de Biasin në stolin kuqezi. Seedorf me një karrierë të pasur si lojtar, prej tre vjetësh ka nisur rrugëtimin në botën e trajningut dhe emri i tij ngjall jo pak kureshtje pasi përveç eksperiencës, do t’i zgjeronte kufijtë e skuadrës kombëtare në aspektin e marketingut, pasi ai është një nga emrat më të lavdishëm të futbollit holandez.
Seedorf pritet të takohet gjatë ditëve të ardhshme me presidentin e FSHF, Armand Duka për një takim në formatin e intervistës. Ky mund të jetë hapi i parë i një bashkëpunimi të mundshëm mes federatës dhe trajnerit holandez. Detajet rreth këtij takimi të planifikuar nuk janë të shumta, por Seedorf është padyshim një emër prestigjioz dhe joshës. Si trajner ai e ka nisur karrierën në stolin e Milanit më 16 janar të vitit 2014,  por u largua nga kjo detyrë më 9 qershor të po atij viti. Më 7 qershor të vitit 2016 Seedorf mori drejtimin e skuadrës Shenzhen nga ku u largua në fund të vitit të shkuar.

Artikulli paraprakRoma kërkon të blejë Gonalons
Artikulli tjetërStatistikat e Mbappe