Tirana në Izrael jo për turizëm

Tirana rikthehet pas plot 5 vitesh në Europë. Në përfundim të sezonit më negativ të historisë së klubit bardheblu, si për ironi, skuadra kryeqytetase fitoi të drejtën për të garuar në raundin e parë të Europa League pas suksesit në finalen e Kupës së Shqipërisë. Ishte data 27 korrik e vitit 2012, kur Tirana shkeli për herë të fundit tokën europiane me atë humbje turpëruese 5-0 në transfertën e Aalesund dhe më pas bardheblutë nuk arritën të kualifikohen për 5 sezone rresht në kompeticionet europiane.
Gjithsesi, në vitin 2017 ata e nisin sezonin e ri me një sfidë prestigji kundër Maccabi Tel Aviv. Me një trajner të ri si Ze Maria dhe grupin ende jo të plotësuar përfundimisht, bardheblutë udhëtojnë në Izrael për të treguar se janë në gjendje të bëjnë surprizën edhe pse ndaj një superfuqie si Maccabi do të jetë shumë e vështirë që misioni të arrihet. Shorti u tregua i pamëshirshëm. Në orën 20:00 në “Netanya Municipal Stadium”, bardheblutë do të zbresin në fushë me disa ndryshime të vogla krahasuar me sezonin e kaluar, por edhe pa shumë ditë në dispozicion për të përgatitur një sfidë të tillë.
Kapiteni Gent Muça që rikthehet pas një dëmtimi të gjatë edhe pse nuk është ende i gatshëm për këtë ndeshje, premtoi se skuadra nuk do të shkojë për turizëm në Izrael, ndërsa trajneri i sapoardhur Ze Maria, e konsideroi këtë sfidë si shumë të rëndësishme për sezonin e Tiranës. Maccabi Tel Aviv prezantohet në këtë sfidë pa sulmuesin e krahut Tal Ben Haim, i cili u transferua te Sparta e Pragës vetëm pak ditë më parë dhe pa veteranin Yosi Benayoun i cili i dha lamtumirën klubit nga Tel Avivi. Një sfidë prestigji për skuadrën bardheblu në momentin e saj më të errët.
Sezoni i gjatë në Kategorinë e Parë do ta ridimensionojë klubin kryeqytetas që shpreson të ecë sa më shumë në Europë për të eklipsuar disi zhgënjimin e sezonit të shkuar. Në 8 ndeshjet e fundit europiane, Tirana numëron vetëm 1 fitore, por në total e ka kaluar turin e parë plot 11 herë.  Në pjesëmarrjen e fundit në këtë kompeticion pikërisht në vitin 2012, Tirana arriti ta kalonte me sukses raundin e parë ndaj luksemburgasve të Grevenmacher pas suksesit 2-0 në “Qemal Stafa”, por në raundin e dytë ishin norvegjezët e Aalesung që dominuan bardheblutë.

Artikulli paraprakFabio Borini është i Milanit
Artikulli tjetërSkënderbeu rikthehet në Europë pas pezullimit